Platforma e organizatave të shoqërisë civile për antikorrupsion në RMV kërkon rikthimin në funksion të portalit “Financa të hapura”

Platforma e Organizatave të Shoqërisë Civile për Luftë Kundër Korrupsionit dënon ashpër pamundësimin e qasjes të publikut në informacionet e Thesarit dhe kërkon që portali “Financa të hapura” të rikthehet urgjentisht në funksion. Platforma e Organizatave të Shoqërisë Civile për Luftë Kundër Korrupsionit, kërkon nga Ministria e Financave të mundësojë qasjen e pandërprerë, përditësimin e […]

Platforma e organizatave të shoqërisë civile për antikorrupsion në RMV kërkon rikthimin në funksion të portalit “Financa të hapura”
Ministria e Financave e RMV-së. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Platforma e Organizatave të Shoqërisë Civile për Luftë Kundër Korrupsionit dënon ashpër pamundësimin e qasjes të publikut në informacionet e Thesarit dhe kërkon që portali “Financa të hapura” të rikthehet urgjentisht në funksion. Platforma e Organizatave të Shoqërisë Civile për Luftë Kundër Korrupsionit, kërkon nga Ministria e Financave të mundësojë qasjen e pandërprerë, përditësimin e vazhdueshëm dhe në kohë të të dhënave në portalin e “Financa të Hapura” dhe disponueshmërinë e tyre në një format të hapur, siç ka qenë praktika deri më tani, transmeton Portalb.mk.

“Portali “Financa të Hapura”, në të cilin publikohen të dhënat e transaksioneve të të gjithë përdoruesve të buxhetit të Buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, u përditësua për herë të fundit më 17.6.2024. Në pajtim me detyrimet e ndërmarra në kuadër të Partneritetit për Qeverisje të Hapur dhe praktikës së deritanishme, të dhënat në portal përditësoheshin dy herë gjatë muajit, që do të thotë se portali nuk e ka kryer funksionin e tij për më shumë se dy muaj”, thonë nga Platforma.

Platforma rikujton Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut se në prag të zgjedhjeve u premtua se do të rritet numri i të dhënave të hapura dhe se ato do të azhurnohen. Me gjendjen aktuale të “Financa të Hapura”, Platforma druan se procesi lëviz në drejtim të kundërt.

Prezantimi i portalit “Financa të Hapura” është një nga reformat më të rëndësishme që promovon transparencën proaktive të institucioneve shtetërore. Si pjesë e Partneritetit për Qeverisje të Hapur, ky aktivitet u vlerësua si një angazhim me dizajn ambicioz dhe zbatim të suksesshëm që solli ndryshime të jashtëzakonshme në praktikat institucionale.

Ndryshe, tashmë nuk funksionon as rubrika e prokurimeve publike në agregatorin e lajmeve Time.mk, e cila funksiononte që nga viti 2012, pra për 12 vjet. Gjegjësisht të gjithë qytetarët e interesuar përmes këtij shërbimi mundeshin të informohen për tenderët më të mëdhenj të lidhur ndërmjet institucioneve shtetërore dhe kompanive në ditët apo muajt e fundit.

Mund të zbulohej se sa para ka marrë një kompani e caktuar nga tenderët nga viti 2008 e deri më sot, sa para ka shpenzuar një institucion publik në një periudhë të caktuar, pra se cilave kompani ua ka dhënë tenderat.

Por nga 19.08.2024, zyrtarisht ky shërbim i ofruar nga Time.mk nuk ekziston më. Arsyeja për këtë, siç thotë  themeluesi i Time.mk, Igor Trajkovski, është se Byroja e Prokurimeve Publike (BPP) ka konsideruar se “qasja e tillë e rëndon faqen dhe nuk lejon përdorim normal nga përdoruesit e regjistruar”. Ata u udhëzuan që të dhënat t’i me dorë, ose të ridrejtojnë përdoruesit e interesuar në faqen e tyre.