Po “përgatiten” ndryshime të reja të Kodit Penal në RMV

Sipas ministrit të ri të drejtësisë, Igor Fillkov, po kërkohet një zgjidhje se si të rregullohen dëmet e shkaktuara nga ndryshimet kontroverse të vitit të kaluar në Kodin Penal, me të cilat u vjetërsuan veprat penale të kryera nga zyrtarët. Juristët thonë se dëmi nuk mund të rregullohet, por vetëm të parandalohet, raporton Radio Evropa […]

Po “përgatiten” ndryshime të reja të Kodit Penal në RMV
Gjyqësor, gjykata, drejtësi

Sipas ministrit të ri të drejtësisë, Igor Fillkov, po kërkohet një zgjidhje se si të rregullohen dëmet e shkaktuara nga ndryshimet kontroverse të vitit të kaluar në Kodin Penal, me të cilat u vjetërsuan veprat penale të kryera nga zyrtarët. Juristët thonë se dëmi nuk mund të rregullohet, por vetëm të parandalohet, raporton Radio Evropa e Lirë, përcjell Portalb.mk.

Ndërkohë që institucionet në Maqedoni janë në pritje të përgjigjes nga Komisioni Evropian për projektligjin e ri për Kodin Penal, i cili buron si detyrim nga skriningu bilateral për kapitullin 23, Ministria e Drejtësisë ka vendosur të hedhë hapa të reja – do të propozojë ndryshime të ligjit tashmë ekzistues me të cilin një grup ish – zyrtarësh të VMRO-DPMNE-së të akuzuar në lëndët të cilat buruan nga afera për përgjimet masive u liruan për shkak të vjetërsimit të lëndëve.

Në Ministrinë e Drejtësisë po punohet me intensitet të shtuar për ndryshimet dhe plotësimet e Kodit Penal ekzistues, me qëllim që, siç informojnë nga atje, të eliminohen pasojat e dëmshme  të ndryshimeve të nxituara dhe të bëra për qëllime politike në vitin 2023.

Ndryshimet kontroverse në Kodin Penal që u bënë vitin e kaluar në muajin shtator, kur pushteti ishte në duart e LSDM-së dhe BDI-së, i  zvogëluan dënimet për veprat penale  si keqpërdorimi i pozitës dhe autoritetit zyrtar dhe bashkimi kriminal. Kjo mundësoi vjetërsimin e lëndëve dhe lirimin e më shumë zyrtarëve të mëparshëm, si ish-kryeministri Nikolla Gruevski, njeriu i parë i shërbimeve të inteligjencës, Sasho Mijallkov dhe bashkëpunëtorët e tyre të afërt të cilët ishin të akuzuarit në procedurat e Prokurorisë Publike.

Për këto ndryshime kritika kishte nga komuniteti ndërkombëtar, ndërsa të fundit ishin ato në raportin për sundimin e ligjit që u publikua javën e kaluar nga Komisioni Evropian (KE).

Tani, për herë të parë, qeveria dhe opozita kanë rënë dakord se ato ndryshime janë të dëmshme për sundimin e ligjit në vend. Lideri i opozitës, Venko Filipçe, e pranoi publikisht se dhjetë muaj më parë kanë gabuar kur i kanë miratuar ndryshimet në kodin penal.

Filipçe kërkoi nga Qeveria e re e VMRO-DPMNE-së që Kodin e ri Penal, të cilin e përgatiti grupi punues i ekspertëve i udhëhequr nga profesori universitar Vllado Kambovski, ta vendosë në diskutim publik. Sipas Filipçes ai propozim është bërë në koordinim të plotë me institucionet ndërkombëtare dhe si model është përdorur Kodi Penal Gjerman.

Për këtë kërkesë nga Ministria e Drejtësisë thonë se të njëjtët persona që e miratuan lirimin për vepra penale, tani kërkojnë ndryshime. Ministri i ri i drejtësisë, Igor Fillkov, bëri me dije se tani po bëhen tentativa që me anëtarët e rinj dhe të vjetër të grupit punues të bëhen ndryshime në ligjin ekzistues, me të cilat, siç thotë ai, pjesërisht do të rregullohen dëmet e shkaktuara nga ndryshimet e vitit të kaluar.

“Ai që e ka keqpërdorur detyrën nuk do të mbetet pa u ndëshkuar, ne tani po kërkojmë zgjidhje për këtë, na lini hapësirë ​​të shohim nëse mund t’i përfshijmë edhe ato në këto ndryshime”, thotë Fillkov.

Por sipas legjislacionit në Maqedoni, amendamentet e reja që po “përgatiten” nuk do të zbatohen për ata zyrtarë që e kanë keqpërdorur detyrën e tyre për aq kohë sa është në fuqi ligji aktual.

Në këtë situatë është e nevojshme të ndryshohet Kodit Penal aktual, por jo për shkak se mund të korrigjohet dëmi, por për t’i parandaluar dëmet e ardhshme, thotë Darko Avramovski nga Koalicioni “Të gjithë për gjykim të drejtë”.

Kjo do të thotë se të gjithë zyrtarët që kanë kryer një vepër penale tani, e e cila nuk është zbuluar, si dhe ata për të cilët tashmë është ngritur një lloj procedure penale, do të përgjigjen sipas ligjit më të butë ku dënimet e mundshme për korrupsion janë më të ulëta, shpjegon ai. Ndryshimet e reja do të zbatohen për ata që do të gabojnë para ligjit në të ardhmen, pra do të zbatohen për veprat penale të kryera pas miratimit të ndryshimeve.

“Dëmi nuk mund të rregullohet sepse për autorin gjithmonë zbatohet ligji më i butë, ky është përjashtimi i vetëm kur një ligj ka fuqi retroaktive, nëse miratohet një ligj i ri që parashikon pasoja më të lehta për veprën që e keni kryer, vetëm atëherë mund të zbatohet në mënyrë retroaktive, por jo edhe kur është e kundërta”, thotë Avramovski.

Sipas tij problem janë ndryshimet e shpeshta në Kodin Penal, sepse ato kontribuojnë për një pasiguri të madhe juridike në vend, prandaj siç thotë ai, pikërisht për këtë ka nisur procesi për një Kod të ri Penal që të mund të sistematizohen. Por ai shton se tani është e nevojshme që sa më shpejt të ndryshohet ligji ekzistues.

Me ndryshimet e fundit në Ligjin për Procedurë Penale deputetët i reduktuan dënimet e parapara për të dyja veprat penale, vendosën kufirin maksimal të dënimit dhe hoqën një paragraf nga neni për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar. Me këtë ata parashikuan edhe vjetërsimin e mëhershëm të veprave. Për shembull, për veprën penale bashkimi kriminal, dënimi me burg nga një deri në dhjetë vjet u ul në një afat kohor nga gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Në Kodin e ri Penal sipas kryetarit të grupit punues, akademikut Vllado Kambovski, kthehet vepra “keqpërdorimi i pozitës zyrtare gjatë prokurimit publik”, e cila si rezultat i fshirjes së një paragrafi nga neni 353 në amendamentet e diskutueshme të vitit të kaluar, tani nuk i nënshtrohet përgjegjësisë penale.