Janevska për arsimin e lartë: Inspektorati Shtetëror i Arsimit do të ketë shumë punë (Intervistë)

Maqedonia e Veriut ka shumë fakultete dhe universitete që nuk kontribuojnë për avancimin e sistemit arsimor. Shteti është një eksportues i intelektualëve dhe talenteve të rinj, ndërsa nuk ka plan se çfarë të bëjë që t’i mbajë ato. Pagat e profesorëve universitarë u rritën dhe tani ata duhet ta bëjnë pjesën e tyre për vendin […]

Janevska për arsimin e lartë: Inspektorati Shtetëror i Arsimit do të ketë shumë punë (Intervistë)
Vesna Janevska, Ministre e Arsimit dhe Shkencës. Foto: Meta.mk

Maqedonia e Veriut ka shumë fakultete dhe universitete që nuk kontribuojnë për avancimin e sistemit arsimor. Shteti është një eksportues i intelektualëve dhe talenteve të rinj, ndërsa nuk ka plan se çfarë të bëjë që t’i mbajë ato. Pagat e profesorëve universitarë u rritën dhe tani ata duhet ta bëjnë pjesën e tyre për vendin dhe të angazhohen në fushat e tyre për ta përmirësuar cilësinë e arsimit të lartë dhe pozicionimin ndërkombëtar të institucioneve. Kështu theksoi në një intervistë për Meta.mk, ministrja e re e arsimit dhe shkencës, Prof. Dr. Vesna Janevska, e cila këtë post ministror e mori muajin e kaluar nga paraardhësi i saj Jeton Shaqiri, transmeton Portalb.mk.

Ajo është mjeke, specialiste e patologjisë dhe doktor shkencash. Ka qenë profesoreshë e rregullt në Fakultetin e Mjekësisë pranë Universitetit “Sh. Kirili dhe Metodi” (UKM) në Shkup dhe ish-deputete.

Në intervistën për Meta.mk Janevska e komenton gjendjen dhe angazhimet lidhur me standardin e studentëve – vaktet e subvencionuara, bursat dhe gjendjen në konviktet e studentëve, për të cilat paralajmëron edhe hetime nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit.

Ministria tashmë është duke vepruar për pesë denoncime për parregullsi të supozuara në disa universitete shtetërore dhe private, duke përfshirë këtu edhe Universitetin Shtetëror në Tetovë dhe Universitetin Ndërkombëtar të Ramiz Merkos në Strugë.

Kemi përshtypjen se rritja evidente e numrit të fakulteteve dhe universiteteve dhe qasja e lehtë në arsimin e lartë nuk shoqërohen me kontroll adekuat të cilësisë së arsimit. Cili është qëndrimi juaj për numrin e universiteteve në Maqedoni dhe si mendoni se ndikon në cilësinë e arsimit të cilin e ndjekin studentët?

Do të ishte e logjikshme që hapja e universiteteve private dhe madje edhe rritja e numrit të universiteteve shtetërore të kontribuojë në rritjen e konkurrencës dhe rritjen e cilësisë së arsimit. Por, siç ndodh në Maqedoni, dhe nuk shqetësohem më kur e them, efekti është krejtësisht i kundërt. Kemi shumë fakultete, universitete dhe shkolla të larta profesionale që, për fat të keq, nuk kanë treguar asnjë progres në të gjithë sistemin arsimor, e sidomos në arsimin e lartë. Për fat të keq, kjo nuk mund të vazhdojë kështu. Ndoshta do të jetë shumë e vështirë, por ne do të duhet të bëjmë disa veprime që do të mundësojnë përmirësimin e cilësisë së arsimit, e kjo do të thotë që ata që nuk punojnë me kualitet ose duhet t’i japin fund punës jocilësore ose t’i japin fund punës së tyre në përgjithësi, pra të mos punojnë më.

Pikërisht për këtë arsye ne tashmë jemi duke ndërmarrë veprime dhe për momentin po punojmë për denoncimet për funksionimin jo të mirë të këtyre institucioneve. E kuptoj që edhe më parë ka pasur denoncime të tilla, por nuk është ndërmarrë asgjë. Pra edhe kur është ndërmarrë diçka, nuk është arritur qëllimi final – veprimi për ngritjen e cilësisë së arsimit.

Shpresoj që tani kjo të bëhet në përmasa më të mëdha dhe ashtu siç e kërkon ligji nga ne, pa i evituar dispozitat ligjore, që të lëshohet pe për një e për një tjetër jo, siç ka qenë praktikë në të kaluarën.

A keni plane se si ta përshtatni sistemin arsimor në Maqedoni që t’i përmbushë më mirë nevojat e tregut të punës dhe prioritetet kombëtare?

Ne në Maqedoni kemi 20 fakultete juridike, kemi pesë fakultete të mjekësisë, kemi shumë programe studimore administrative. Mendoj se kemi mbi 1.300 programe studimore, ndërsa ndodh që në vit në disa prej tyre të mos konkurrojë asnjë student i mundshëm, por ato vazhdojnë të jenë aktive në vend që të pezullohen apo anulohen. Ose ndodh që të kenë nga tre ose pesë studentë.

Problem shtesë në këtë aspekt janë kuotat e universiteteve dhe jo më larg se dje dëgjova se dekani i Fakultetit Ekonomik thotë se tashmë për vite me radhë po e zvogëlojnë numrin e studentëve, gjë që është diçka e shkëlqyer, sepse me sa e kuptova unë, ata po i përshtaten tregut të punës.

Maqedonia është në një situatë të tillë që ne duhet t’i përshtatemi tregut të punës që personave që e vazhdojnë shkollimin në institucionet e arsimit të lartë tu garantojmë edhe një vend pune. E them shumë herë, Maqedonia është eksportuese e pasurisë së saj më të madhe, por pa para. Ne i eksportojmë intelektualët dhe të rinjtë tanë në vendet e huaja, ndërsa nuk marrim asgjë në këmbim. Pra ne nuk kemi kurrfarë dobie. Përkundrazi, përfitojnë vendet ku shkojnë të rinjtë tanë. Shteti prej vitesh nuk ka pasur një plan për atë se çfarë duhet bërë në fushën e arsimit të lartë, e kam fjalën për arsimimin e të rinjve.

Prandaj, bashkë me institucionet e shtetit si APRM apo Enti Shtetëror i Statistikave edhe ne në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës do të bëjmë një analizë, dhe në përputhje me odat ekonomike, me bizneset në vend, të cilët de facto duhet të ofrojë punë për fëmijët dhe të cilët duhet ta nxisin ekonominë e vendit, do të bëjmë një analizë serioze për atë se çfarë kemi me tepricë dhe çfarë na mungon, kështu që t’i drejtojmë të rinjtë atje ku ka mungesë të profesioneve, që ata të kenë një lloj garancie se nesër, pas përfundimit të studimeve, do të mund të punësohen në vendin tonë dhe të japin kontributin e tyre – si për shtetin, por edhe për t’i siguruar vetes një jetë të denjë dhe normale.

Pak kohë më parë njoftuat për ndryshimin e kuotave të fakulteteve për vitin e ardhshëm, për të cilat thatë se do të përcaktohen në bazë të një analize të tregut të punës. Ku mendoni se do të ketë shkurtime, e ku do të shtohen?

Nuk mund të them se ku do të ketë shkurtime, këtë do ta tregojnë analizat, por mendoj se është evidente. Meqenëse vij nga Fakulteti i Mjekësisë, pritet që ta them, por edhe dihet se Maqedonia nuk ka nevojë për 700 studentë që do të regjistrohen në fakultetet e mjekësisë në vend. Ja, pas shtatë vjetësh 400 prej tyre do të diplomojnë. Pak ditë më parë dëgjuam se si ministri i shëndetësisë tha se kemi 600 specializantë privatë – këta janë mjekë që nuk janë të punësuar nga shteti. Dhe ai tani thotë se do t’i plotësojë vendet vakante. Pse na duhen kaq shumë mjekë në vendin tonë – sepse të tjerët janë larguar. Në përgjithësi, ata u larguan drejt Evropës Perëndimore, por edhe në vendet tejoqeanike. Nëse kemi një plan, e kështu është në shumë shtete të organizuara, ne do t’i mbajmë në radhë të parë njerëzit cilësorë, ndërsa edhe shteti duhet të ketë një pasqyrë për atë që po ndodh në të në mënyrë që të jetë në gjendje të bëjë plane afatgjata dhe strategjike – dhe ta përmirësojë ekonominë, e cila është shumë e rëndësishme për qytetarët e këtij vendi, por edhe për zhvillimin e shkencës dhe arsimit të lartë.

Ne prodhojmë kuadro, shkenca tek ne është në nivel shumë të ulët, universiteti ynë më i mirë dhe më i madh nuk ndodhet në listën e Shangait. Këto janë disa gjëra që duhet t’i rregullojmë.

A mendoni se duhet të kthehen sërish provimet pranuese për në fakultet?

Sa i përket provimeve pranuese, është e vërtetë që kjo çështje po aktualizohet. Matura u prezantua si një mjet që do të rrumbullakësojë njohuritë e fituara në arsimin e mesëm dhe i cili do duhej t’i rangojë nxënësit, të dinë se cilat janë arritjet e tyre – nëse janë të shkëlqyer, nëse kanë mundur të bëjnë më shumë apo nëse kanë lëshuar diçka, por edhe t’i orientojë drejt profesioneve të caktuara. Në vendet e Evropës Perëndimore, pra në BE, matura është një mjet që u mundëson nxënësve të vendosin për studimet e mëtejshme akademike.

Për fat të keq në vendin tonë i gjithë arsimi – si fillor ashtu edhe i mesëm – nuk i përcjell njohuritë, kompetencat dhe aftësitë që duhet t’i kenë nxënësit. Dhe ky problem është multifaktorial. Nuk mund të fokusohem vetëm te nxënësit, vetëm te mësimdhënësit apo prindërit, këtu ka shumë faktorë që ndikojnë: pozita sociale në të cilën ndodhen nxënësit, funksionaliteti i familjes, mjediset rurale apo urbane, edukimi i prindërve, thjesht ka shumë.

PISA na jep analiza, ne nuk kemi tonat – të paktën unë nuk kam parë ende, edhe pse kam disa javë në këtë post. Ne duhet t’i caktojmë faktorët e ndikimit, por një gjë është shumë e qartë – notat e studentëve tanë nuk janë pasqyrim i njohurive të tyre. Me fjalë të tjera, kjo do të thotë që të gjithë nxënësit tanë kanë notën pesë, por njohuritë e tyre sillen nga dyshi deri tek pesa. Kjo është një mënyrë shumë e keqe për t’i rritur dhe për t’i edukuar fëmijët.

Këtë vit, kur e bëmë pak më rigoroz provimin e maturës, gjegjësisht kontrollin e realizimit të provimit të maturës, notat mesatare ranë në krahasim me vitet e kaluara. Kjo nuk është asgjë e tmerrshme, është thjesht një tregues, një variantë për analizë.

Nëse e bëjmë analizën lidhur me këto probleme që i përmenda, nëse punojmë me prindërit dhe mësimdhënësit, që të bëjnë një vlerësim të barasvlershëm me njohuritë, për ta realizuar provimin e maturës ashtu siç duhet, nuk do të kemi nevojë për provim pranues, sepse nuk duhet të ketë mundim i dyfishtë apo vlerësim të dyfishtë. Një do ishte i mjaftueshëm.

Por siç e dini, për shembull, Fakulteti i Arkitekturës, me qenë se në të kërkohen aftësi të veçanta, zbaton provim pranues. Nuk është e ndaluar që edhe fakultetet e tjera të zbatojnë provim pranues, por unë kam nevojë për pak kohë që të bisedoj me universitetet, rektorët, dekanët dhe të gjithë që janë të përfshirë në këtë proces, që të kërkojmë dhe të gjejmë një zgjidhje të përbashkët. Ndoshta nëse të gjithë këtë sistem të pranimit në universitet e rregullojmë brenda një apo dy vjetësh nuk do të ketë nevojë për provim pranues. Por nëse nevoja për të mbetet sërish, ai edhe mund të prezantohet.

Vesna Janevska, Ministre e Arsimit dhe Shkencës. Foto: Meta.mk
Vesna Janevska, Ministre e Arsimit dhe Shkencës. Foto: Meta.mk

Universitetet e Maqedonisë ndodhen në pozita të ndryshme në rangime të ndryshme. Përderisa në disa prej tyre kanë ngritje modeste, në numrin më të madh prej tyre kanë rënie, në disa madje edhe drastike. Deri më tani asnjë universitet nga Maqedonia nuk ka qenë në listën e Shangait. Në programin e saj parazgjedhor, partia në pushtet njoftoi mbështetje për universitetet dhe “pozicionim domethënës të të paktën një universiteti në rang listat botërore”. Si planifikoni ta arrini këtë?

Do të ketë ndryshime në Ligjin për Arsimin e Lartë dhe ato do të parashikojnë disa kushte për ekzistencën dhe funksionimin e universiteteve, por edhe për detyrimet e kuadrove shkencore dhe arsimore në arsimin e lartë.

Qeveria e kaluar i rriti në mënyrë drastike pagat e profesorëve universitarë. Unë jam profesore dhe nuk do të doja që dikush të më keqkuptonte – po, profesorët universitarë duhet të kenë paga të larta, dhe tani meqë kanë paga të larta, do të duhet të bëjnë edhe ata më shumë për vendin. Ne nuk do mund të vazhdojmë të jemi indiferent ndaj asaj që kërkon Rang lista e Shangait. Aty kërkohen shumë elemente, por një nga elementet është edhe puna shkencore e profesorëve. Ne kemi edhe institucione vetëm shkencore, por të gjitha institucionet e arsimit të lartë kanë obligim që të merren edhe me shkencë. Mendoj se për një periudhë shumë të madhe dhe të gjatë të gjithë ne kemi pasur një sjellje indolente ndaj detyrimeve tona dhe ndaj shtetit, sepse nëse keni obligim që të përmbushni kushte të caktuara për përparimin e shtetit, ju duhet t’i përmbushni ato.

Do të kërkojmë që profesorët të angazhohen pak më shumë në të gjitha fushat e tyre në arsim, shkencë, hulumtime shkencore. Do të kërkojmë që të kyçen në rrjetet e BE-së, do të kërkojmë që t’u kushtohet vëmendje projekteve të brendshme, të huaja, ndërkombëtare, do të kërkojmë që të lidhen me ekonominë, sektorin e biznesit dhe shumë elemente të tjera.

Cilat janë mangësitë e zgjidhjes aktuale për vaktet e subvencionuara të studentëve dhe si do të përmirësohet kjo masë? A mund të pritet rritje e shumës, dhe nëse po, atëherë kur?

Shteti po shpenzon shumë para, me të vërtetë shumë – unë madje as që kam qenë e vetëdijshme se për sa shumë para bëhej fjalë, për ta përmirësuar standardin e studentëve. Por, për fat të keq, nga këndvështrimi im, e me mua pajtohen edhe një numër i madh i studentëve, standardi i tyre nuk është në nivelin e duhur. Do filloj nga konviktet e studentëve, një pjesë e të cilëve ishin jashtëzakonisht të lënë pas dore dhe që vërtet ofronin kushte substandarde për jetesë, gjë që është për të ardhur keq dhe kur them për të ardhur keq – kjo është pika ekstreme e negativitetit – të rinjtë që nesër do duhet të ndërtojnë dhe ta udhëheqin vendin, të duhet të studiojnë në kushte të tilla. Për këtë arsye filloi rinovimi i dy konvikteve të studentëve. Edhe kjo është diçka që e ka filluar qeveria e mëparshme. Nuk do ta mohoj kurrë diçka të mirë që e ka filluar cila do qoftë qeveri. Kjo qeveri duhet ta përfundojë këtë dhe ne po përpiqemi intensivisht që ta realizojmë këtë së bashku me kompaninë e kontraktuar brenda një afati sa më të shkurtër kohor që studentët të kenë një akomodim dinjitoz.

Studentëve u jepen bursa, bursa jepen edhe për profesionet deficitare dhe vaktet e subvencionuara të studentëve është një masë që gjithashtu është edhe një mjet për ta përmirësuar standardin e studentëve.

Unë do kisha dashur t’u jepja studentëve jo një, por tre vakte. Por për fat të keq, për momentin vendi është në një krizë shumë, shumë të rëndë financiare dhe ju patët mundësinë ta dëgjoni ministren e financave se sa shumë është duke luftuar për të siguruar fonde për funksionim normal, e jo për ndonjë përparim. Pres që vitin e ardhshëm, për shkak të investimeve të mëdha që do vijnë në vendin tonë, pa dallim nëse janë kredi, kamata më të favorshme apo diçka tjetër, vendi ka nevojë për një injeksion të tillë fondesh – shpresoj që me buxhetin e ardhshëm do të mund të mendojmë për të gjitha mjetet, masat – të vjetra dhe të reja – me të cilat do ta përmirësojmë standardin e studentëve.

Sipas jush si është gjendja aktuale me ndarjen e bursave studentore në vend – për sa i përket mënyrës së ndarjes së bursave, kategorive të bursave, shumës së tyre? A planifikoni programe të reja për ndarjen e bursave dhe nëse po, çfarë bursash?

Po, ne do të bëjmë përpjekje maksimale që që nga viti i ardhshëm të bëjmë analiza dhe ta përmirësojmë sa më shumë standardin e studentëve, sepse e them dhe sinqerisht mendoj se e ardhmja e vetme e këtij vendi janë të rinjtë.

Në programin parazgjedhor ju paralajmëruat se do t’i kushtoni një vëmendje të veçantë cilësisë së ushqimit në konviktet e studentëve. A do ju shërbehet më në fund studentëve ushqim i llojllojshëm dhe i shëndetshëm? A do t’i kushtohet më shumë vëmendje mënyrës si i shpenzojnë mjetet konviktet e studentëve dhe, mbase ajo që është më e rëndësishmja, a do tu kushtohet më shumë vëmendje konvikteve të studenteve në qytetet e tjera të vendit, dhe jo vetëm atyre në Shkup?

Këtu mund të jem plotësisht decide dhe të mos kalkuloj me mjetet – po, studentët do të kenë ushqim cilësor, sepse ata kanë nevojë për të. Dhe ajo që mund të bëjë Ministria në këtë moment është të kontrollojë aktivitetet e mundshme kriminale në konvikte të caktuara të studentëve, nuk po them se një gjë e tillë ka ndodhur, por ka ankesa dhe çdo gjë që ka mbërritur në adresë të Ministrisë si ankesë i është përcjellë Inspektoratit Shtetëror të Arsimit.

Për fat të keq Inspektorati Shtetëror i Arsimor tani do të ketë shumë punë, shpresoj se do të organizohen shpejt që të mund ta kryejnë këtë punë, por meqë ne në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës punojmë nga 12 orë dhe ata janë nën Ministrinë, unë do ju kërkoj që të japin maksimumin nga vetja, me të gjithë inspektorët, që ta rregullojmë shtetin, që tu mundojmë të rinjve të funksionojnë normalisht, të ndërtojnë një sistem vlerash, të ndërtojnë norma morale, që ta duan atdheun e tyre, që të duan të kontribuojnë për të. Ne duhet t’ua mundësojmë atyre kushtet për këtë. Pra, Inspektorati Shtetëror i Arsimit hyn intensivisht edhe në konviktet e studentëve – atje për ku kemi ankesa, ndërsa pastaj, kur të mbarojmë me punët urgjente, do t’i bëjmë rregullisht ato analiza. Nuk pres të gjej parregullsi kudo.

Do punojmë që ta përmirësojmë gjendjen në të gjithë vendin, sepse Shkupi nuk është e gjithë Maqedonia.

Njoftuat se për momentin janë duke u proceduar denoncime ndaj tre universiteteve. Për cilat universitete bëhet fjalë dhe për çfarë denoncimesh bëhet fjalë?

Tani janë pesë. Nuk mund t’ju them se cilat janë ato, sepse nuk dua ta dëmtoj reputacionin e asnjërit nga universitetet në rast se analizat tregojnë se kanë punuar mirë. Por ajo që është publike dhe ajo që është prezantuar në media, Blendi Hodai nga Forumi për Ndryshime në Arsim më ka dorëzuar publikisht një parashtresë për një nga universitetet, ja, mund të them se bëhet fjalë për Universitetin Shtetëror të Tetovës. Nga ajo që dihet edhe publikisht, ankesa ka edhe për Universitetin Ndërkombëtar në Strugë. Më lejoni që universitetet e tjerë për një kohë të caktuar t’i mbajmë anonim, por gjithçka që do të zbulojë revizioni – pozitive dhe negative, pas përfundimit të procesit ne do ta publikojmë në mënyrën më transparente.

Në këto denoncime ka më shumë elemente. Po, publiku flet shumë për dhënien e parregullt të diplomave dhe për parregullsi të tjera – gjatë përzgjedhjes së mësimdhënësve, parregullsi në përzgjedhjen e udhëheqësisë së universiteteve, por të shohim se çfarë nga e gjithë kjo do të vërtetohet si një parregullsi e vërtetë.