Komunat e RMV-së nuk mbajnë evidencë se sa ndotës kanë, e as nuk kujdesen që ata të paguajnë për ndotjen që e bëjnë

Në regjistrin për lejet e integruara B të Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor ende ndodhen kompani që dikur kanë marrë leje, por që nuk ekzistojnë më, ndërsa nga ana tjetër, nuk gjenden kompanitë të cilat kanë leje aktive. Në komuna ka mijëra kompani, por në vit jepen vetëm një numër i vogël i […]

Komunat e RMV-së nuk mbajnë evidencë se sa ndotës kanë, e as nuk kujdesen që ata të paguajnë për ndotjen që e bëjnë
Ndotja e ajrit, Tetovë. Foto: Portalb.mk

Në regjistrin për lejet e integruara B të Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor ende ndodhen kompani që dikur kanë marrë leje, por që nuk ekzistojnë më, ndërsa nga ana tjetër, nuk gjenden kompanitë të cilat kanë leje aktive. Në komuna ka mijëra kompani, por në vit jepen vetëm një numër i vogël i lejeve. Askush në vend nuk ka të dhëna të sakta për numrin e lejeve ekologjike të integruara B të cilat komunat ua japin kompanive veprimtaria e të cilave ndikon në mjedisin jetësor, transmeton Portalb.mk.

Komunat nuk kanë regjistra të kapaciteteve ndotëse në territorin e tyre, prandaj as nuk e dinë se sa kompanive duhet tu japin leje të tilla. Madje edhe ato që kanë leje ekologjike të integruara B nuk i paguajnë detyrimet e tyre, prandaj në këtë bazë edhe komunat e mëdha mbledhin vetëm disa mijëra denarë çdo vit.

Këto janë pjesë e konkluzioneve të Qendrës për Komunikime Civile nga hulumtimi për procesin e dhënies së lejeve ekologjike të integruara B i realizuar në Manastir, Kërçovë, Kumanovë, Negotinë, Strumicë, Tetovë, Çair dhe Shtip.

Sipas regjistrit të cilin e udhëheq Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor leje ekologjike të integruar B posedojnë gjithsej 278 kompani. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave në këto komuna ka gjithsej18.965 kompani, por ato deri më tani kanë dhënë gjithsej 56 leje ekologjike të integruara B. Numri më i madh i tyre janë dhënë nga Komuna e Shtipit, 14, një më pak nga Strumica, 13 dhe 11 nga Kumanova. Shtatë ka dhënë komuna  e Manastirit, ndërsa Negotina ka dhënë 5 leje ekologjike të integruara B. Komuna e Tetovës ka 3 leje ekologjike të integruara B, por ato janë dhënë nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor sepse ndodhen në zona të mbrojtura. Komuna e Kërçovës ka dhënë dy leje. Numri më i vogël i lejeve dhe atë vetëm një është dhënë në Komunën e Çairit, ku lejet ekologjike të integruara B i jep Qyteti i Shkupit.

Hulumtimi gjithashtu zbulon se edhe pse kompanitë që posedojnë leje ekologjike të integruara B duhet të paguajnë disa pagesa mbi baza të ndryshme, ndodh që edhe komunat e mëdha të arkëtojnë vetëm disa mijëra denarë në vit mbi këtë bazë. Kjo gjë ngre dyshime se komunat nuk ua përllogarisin pagesat për posedimin e lejes ekologjike të integruar B të gjitha kompanive. Disa nga kompanitë nuk i paguajnë rregullisht as këto pagesa kaq të ulëta të cilat kanë obligim t’i paguajnë.

Mesatarisht, të ardhura vjetore më të larta arkëton Strumica, 165.017 denarë, pastaj Kumanova, 146.204 denarë, ndërsa në vendin e tretë është Negotina, me të ardhura vjetore prej 35.000 denarë mbi këtë bazë. Shtipi, nga gjithsej 14 instalime që kanë leje ekologjike të integruara B arkëton vetëm 19.308 denarë në vit, ndërsa Kërçova arkëton 10.230 denarë. Ndonëse ka shtatë instalime që janë bartës të lejeve të integruara B, Komuna e Manastirit ka arkëtuar mesatarisht vetëm 1.220 denarë ose 20 euro në vit.

“Diferencat e mëdha në të ardhurat që i realizojnë komunat mbi këtë bazë sjellin në përfundimin se nuk ka një mënyrë uniforme të përllogaritjes së pagesave për lejet ekologjike të integruara B. Duke pasur parasysh se pagesat vjetore për numrin më të madh të instalimeve që kanë leje ekologjike të integruar B janë identike çdo vit, mund të interpretohet se disa prej instalimeve nuk dorëzojnë as raporte vjetore për matjet e ndotjes dhe se pagesa vjetore e tyre është plotësisht e përcaktuar”, thuhet në hulumtimin e Qendrës për Komunikime Civile.

Komunat nuk kanë regjistra të ndotësve dhe vetëm komuna e Manastirit, Kërçovës dhe Kumanovës kanë përgatitur kadastra të ndotësve, të cilat janë të nivel të industrisë, por në to nuk janë shënuar instalimet individuale apo ndotja që vjen nga ato. Me qenë se nuk kanë regjistra nuk mund të pritet që të dinë se sa kompani të regjistruara në territorin e tyre duhet të kenë një leje ekologjike të integruar B, pra nëse kanë aplikuar për leje të gjitha kompanitë që duhet të kishin aplikuar për leje.

Çdo e dyta komunë përballet me mungesë të punonjësve për inspektim në fushën e mjedisit jetësor. Kërçova dhe Negotina nuk kanë inspektorë të autorizuar për mjedisin jetësor, ndërsa komuna e Çairit ka punësuar një inspektor në vitin 2023. Tetova ka pesë inspektorë të licencuar për mjedisin jetësor, Kumanova dy, ndërsa komuna e Manastirit, Strumicës dhe Shtipit kanë nga një inspektor të autorizuar për mjedisin jetësor.

RMV, askush nuk e di saktësisht se sa leje B të integruara ekologjike janë dhënë në vend