Kryeministri Mickoski vendosi mos të flet për temat që krijojnë tensione ndëretnike në Maqedoninë e Veriut

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut ka deklaruar që nuk do të flas për tema që krijojnë tensione etnike, pasi vlerësoi që vendi ka probleme tjera, transmeton Portalb.mk. “Shpall moratorium të bisedave për tema që përçajnë dhe keqpërdorin çështjet etnike, thërras të gjithë liderët të flasim për atë që i zgjidh problemet, ekonominë, arsimin dhe inovacionet”, […]

Kryeministri Mickoski vendosi mos të flet për temat që krijojnë tensione ndëretnike në Maqedoninë e Veriut
Hristijan Mickoski. Foto: Teuta Buçi/Portalb.mk

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut ka deklaruar që nuk do të flas për tema që krijojnë tensione etnike, pasi vlerësoi që vendi ka probleme tjera, transmeton Portalb.mk.

“Shpall moratorium të bisedave për tema që përçajnë dhe keqpërdorin çështjet etnike, thërras të gjithë liderët të flasim për atë që i zgjidh problemet, ekonominë, arsimin dhe inovacionet”, deklaroi Mickoski.

Gjatë manifestimit për shënimin e “Ditës së Republikës – Ilindenit” , ai vlerësoi nevojën që të ndërpriten elementet që krijojnë konflikte.

“Maqedonasit, shqiptarët, turqit, romët, serbët, vllehët, boshnjakët dhe të gjithë të tjerët janë me të vërtetë të lodhur nga shpërdorimi i pozitave të tyre dhe fakti që elitat politike ndërtojnë karriera mbi shpinën e tyre, ndërsa ne të gjithë ndajmë të njëjtin fat. Prandaj nuk do të drejtoj një bisedë për tema që krijojnë tension dhe keqpërdor çështjet etnike dhe u bëj thirrje të gjitha palëve, subjekteve dhe liderëve që të flasin për atë që është me të vërtetë e
rëndësishme, që është ekonomia, arsimi dhe risitë që sjellin të ardhmen”, deklaroi Mickoski.

Ai deklaroi që do të mbështet çdo nismë që do të zgjidh problemet e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut.

Ndryshe, me ndryshimin e pushtetit, ardhjen e VMRO-së, VLEN-it dhe ZNAM-it në qeveri, kalimin e LSDM-së dhe BDI-së në opozitë, janë rishfaqur tensionet ndëretnike në Maqedoninë e Veriut.

Maqedonia e Veriut përveç problemeve të brendshme ndëretnike, po përballet edhe me probleme të jashtme diplomatike, si me Greqinë, Bullgarinë dhe së fundmi me Kosovën, rreth rastit të arrestimit të ish-luftëtarit të UÇK-së dhe incidentit të presidentes Vjosa Osmani.