Kurti: Mbi 7000 libra për luftën në Kosovë janë shkruar nga ndërkombëtarët

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në promovimin e librit “Lufta e Kosovës 1997-1999: Një bibliografi e përzgjedhur”, të autorëve Durim Abdullahu dhe Davjol Ndoja, e mbajtur në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Në fjalën e tij, kryeministri tha se që nga koha e luftës në Kosovë e deri sot, janë shkruar shumë libra […]

Kurti: Mbi 7000 libra për luftën në Kosovë janë shkruar nga ndërkombëtarët

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në promovimin e librit “Lufta e Kosovës 1997-1999: Një bibliografi e përzgjedhur”, të autorëve Durim Abdullahu dhe Davjol Ndoja, e mbajtur në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.

Në fjalën e tij, kryeministri tha se që nga koha e luftës në Kosovë e deri sot, janë shkruar shumë libra për luftën e Kosovës, por ky është libri i parë i shkruar për librat për luftën e Kosovës.

“Në këtë libër janë evidentuar plot 7,700 libra për luftën e Kosovës. Dhe kjo shifër kaq e madhe, u shpreh kryeministri Kurti na bën edhe më shumë të reflektojmë pasi vetëm 600 libra prej të gjithë këtyre librave janë shkruar nga autorë shqiptarë, që do të thotë se pjesa tjetër, mbi 7,000 libra janë shkruar nga autorët ndërkombëtarë.Nga gjithsej 7,700 librat për luftën e Kosovës, disa edhe përkthyer në 28 gjuhë të ndryshme”, tha Kurti.

Autorët, Abdullahu dhe Ndoja, i kanë identifikuar dhe regjistruar ata duke i nxjerrë prej 45 bibliotekave kryesisht kombëtare, nga 43 shtete të ndryshme, anë e mbanë globit.

Kryeministri i uroi të dy autorët për këtë ndërmarrje të finalizuar me këtë libër të jashtëzakonshëm, dhe tha se beson fuqishëm që sikur në këtë rast, kur një studiues nga Prishtina dhe një studiuese nga Tirana, i bëjnë forcat bashkë, rezultati janë veprat e tilla të mëdha dhe të dobishme, për shoqërinë dhe shtetin, për kombin dhe të ardhmen.

Në këtë promovim të librit, të pranishëm ishin edhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, zëvendësministri në Ministrinë e Drejtësisë, z.Vigan Qorrolli, deputetë të Kuvendit të Republikës, Fejza, Hyseni e Rrustemi, profesorë e studentë./Front Online/