Ministria e Energjetikës në RMV do të vendoset në Pallatin e harruar të Zeusit

Qeveria planifikon ta vendosë Ministrinë e re të Energjetikës, në krye të së cilës është ministrja Sanja Bozhinovska, në objektin e harruar nga projekti “Shkupi 2014”, ndryshe të njohur edhe si Pallati i Zeusit për shkak të statujës së tij që ndodhet në kulmin e këtij objekti, shkruan Prizma, transmeton Portalb.mk. Objekti në stilin barok […]

Ministria e Energjetikës në RMV do të vendoset në Pallatin e harruar të Zeusit
Përmendorja e Aleksandrit të Madh, Shkupi 2014. Foto: Portalb.mk

Qeveria planifikon ta vendosë Ministrinë e re të Energjetikës, në krye të së cilës është ministrja Sanja Bozhinovska, në objektin e harruar nga projekti “Shkupi 2014”, ndryshe të njohur edhe si Pallati i Zeusit për shkak të statujës së tij që ndodhet në kulmin e këtij objekti, shkruan Prizma, transmeton Portalb.mk.

Objekti në stilin barok në qendër të Shkupit, i ngritur përballë Hotelit “Bristoll”, filloi të ndërtohet në vitin 2013 dhe ideja fillestare ishte që në të të vendosej qendra e kompanisë shtetërore të prodhimit të energjisë elektrike, Elektranat e Maqedonisë së Veriut (ESM), ose më pare e njohur si ELEM.

Kontraktorët e kaluan disa herë e shkelën afatin e ndërtimit por edhe pse tani i përfunduar, ky objekt nuk përdoret prej vitesh.

Muajin e kaluar në një seancë të Qeverisë Shërbimit për Çështjet e Përgjithshme dhe të Përbashkëta (SHÇPP) iu dha detyra që ta pajisë objektin për nevojat e ministrisë së re. Sipas procesverbalit të seancës së mbajtur më 5 korrik brenda tre muajve SHÇPP duhet ta fillojë procedurën për pranim teknik, ta vërë në përdorim dhe t’ia dorëzojë në përdorim të përhershëm Ministrisë së sapoformuar të Energjetikës.

Deri më tani ky objekt nuk është shfrytëzuar, pasi konsiderohet si një lloj ndërtimi pa leje, pasi gjatë ndërtimit janë bërë ndryshime të shumta nga plani i miratuar. Pengesa për përdorim është dashur të tejkalohet me ligjin për legalizimin e 50 mijë ndërtimeve pa leje, të cilin presidenti i atëhershëm, Stevo Pendarovski, në vitin 2021 e stopoi.

Një problem serioz për përdorimin normal të këtij objekti ishte mungesa e qasjes në parkingun e pallatit. Ideja fillestare ka qenë jashtëzakonisht e papëlqyeshme, që hyrja në parking të bëhej duke e vazhduar rrugicën që përfundon në pjesën e shtruar pas kësaj godine të re të ESM-së.

Një zgjidhje e tillë do të shkatërronte një kënd tjetër në qendër të Shkupit, ku banorët pushojnë në stola nën pemë dhe ku fëmijët e tyre luajnë të sigurt.

Sipas bazës së të dhënave „Shkupi 2014 nën llupë“, të përgatitur nga BIRN, objekti ka kushtuar rreth 17,5 milionë euro.

Disa vite më parë, BIRN shkroi për rregullimin e brendshëm të këtij objekti, duke iu referuar dëshmive të njerëzve që, për shkak të natyrës së punës së tyre, kishin një pasqyrë të detajuar për enterierin.

Sipas tyre në objekt ka një ashensor të veçantë që të çon në zyrën e drejtorit. Në katin ku ndodhet kjo zyrë paska edhe një dhomë për relaks me një shtrat të veçantë ergonomik për pushim. Gjithashtu, për nevojat e drejtorit, në tualet ka edhe një dush. Në këtë objekt paska edhe një dhomë të ashtuquajtur “dhoma e shurdhër”, në të cilën muret janë të mbuluara me tapë.

Deri në vitin 2013 në vendin ku tani ndodhet ky objekt kishte një park. E gjithë zona u shndërrua në një kantier ndërtimi pasi Qeveria e atëhershme me policë i largoi mbrojtësit e parkut të cilët e kundërshtuan idenë për një bllok të ri ndërtesash barok në atë pjesë të qendrës së qytetit.