Në Kosovë filluan punimet për rrugën Prizren – Tetovë, Zekolli-Shaqiri: Po formohet grupi punues për përzgjedhjen e operatorit ekonomik për dokumentacionin projektues

Në Kosovë kanë filluar punimet për rrugën Prizren – Tetovë e cila do të lidh dy shtetet. Nga ana tjetër, në Maqedoninë e Veriut zëvendës-ministrja e transportit sqaroi për Portalb.mk se procedura e projektit është në fazën e formësimit të grupit punues, që do të përcaktojë rregullat dhe procedurat për zhvillimin e procesit të përzgjedhjes […]

Në Kosovë filluan punimet për rrugën Prizren – Tetovë, Zekolli-Shaqiri: Po formohet grupi punues për përzgjedhjen e operatorit ekonomik për dokumentacionin projektues
Punimet në rrugën Prizren - Tetovë. Foto: Liburn Aliu (Fb)

Në Kosovë kanë filluar punimet për rrugën Prizren – Tetovë e cila do të lidh dy shtetet. Nga ana tjetër, në Maqedoninë e Veriut zëvendës-ministrja e transportit sqaroi për Portalb.mk se procedura e projektit është në fazën e formësimit të grupit punues, që do të përcaktojë rregullat dhe procedurat për zhvillimin e procesit të përzgjedhjes së operatorit ekonomik për përgatitjen e dokumentacionit projektues.

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Kosovë Liburn Aliu theksoi se projekti është i ndarë në tre lote. Ndërsa punimet filluan në segmentin Struzhë – Kyçja në autostradën “Ibrahim Rugova” në Prizren.

“Ky projekt, me gjatësi totale prej 20.3 kilometrash dhe investim të paraparë prej 35 milionë euro, ka rëndësi të veçantë strategjike. Sot po fillojmë punimet në LOT 1 dhe LOT 3, me gjatësi secila prej 6.9 kilometrash dhe vlera përkatëse prej 7,999,999.00 euro për LOT 1 dhe 8,346,804.38 euro për LOT 3”, tha Aliu.

Në fillimin e punimeve mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Synimi jonë është që të ja japim mbështetjen maksimale këtij projekti infrastrukturor që të kryhet sa më shpejtë për shkak se shumë kohë është humbur që Prizreni dhe Tetova të mbesin kaq gjatë të ndara”, tha Kurti.

Liburn Aliu dhe Albin Kurti gjatë fillimit të punimeve në rrugën Prizren - Tetovë. Foto: Liburn Aliu (Fb)
Liburn Aliu dhe Albin Kurti gjatë fillimit të punimeve në rrugën Prizren – Tetovë. Foto: Liburn Aliu (Fb)

Kujtojmë që me 2 gusht 2024 Kosova nënshkroi kontratat për realizimin e punimeve për këtë projekt. Ndërsa më 23 maj 2024 në Kuvendin e Republikës së Kosovës u miratua propozimi për ratifikimin e marrëveshjes për bashkëfinancimin e punimeve në rrugën Tetovë – Prizren.

Punimet në rrugën Prizren - Tetovë. Foto: Liburn Aliu (Fb)
Punimet në rrugën Prizren – Tetovë. Foto: Liburn Aliu (Fb)

Si qëndrojnë punët në RMV?

Në lidhje me atë se ku qëndron Maqedonia e Veriut me këtë projekt Portalb.mk bisedoi me zëvendës-ministren e Transportit dhe Lidhjeve të RMV-së, Kaltrina Zekolli-Shaqirin.

Ajo theksoi se kanë përshpejtuar procesin për fillimin e realizimit të këtij projekti, ku kompetencat e realizimit te këtij projekti janë ne suaza te Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore, e cila tashmë ka ndarë buxhet për realizimin e tij.

“Procedura e projektit është në fazën e formësimit të grupit punues, që do të përcaktojë rregullat dhe procedurat për zhvillimin e procesit të përzgjedhjes së operatorit ekonomik për përgatitjen e dokumentacionit projektues. Do të formohet grupi punues i cili do të përbëhet prej 10 anëtarësh, nga 5 nga secila palë”, tha ZekolliShaqiri.

Kaltrina Zekolli Shaqiri. zëvendës-ministre e Transportit dhe Lidhjeve. Foto: Kaltrina Zekolli Shaqiri (faaqy zyrtare në Facebook)
Kaltrina Zekolli Shaqiri. zëvendës-ministre e Transportit dhe Lidhjeve. Foto: Kaltrina Zekolli Shaqiri (faaqy zyrtare në Facebook)

Procedurën për përzgjedhjen e operatorit ekonomik do ta bëjë Ndërmarrja Publike, ndërsa përgatitja e dokumentacionit projektues për ndërtimin e tunelit në rrugën Tetovë-Prizren do të përfundojë brenda 18 muajve dhe do të definohet me marrëveshje të nënshkruar me operatorin ekonomik.

“Jemi në komunikim të vazhdueshëm me homologët tanë nga Republika e Kosovës, përkatësisht ministrin Liburn Aliu, për fillimin sa më të shpejtë të mundshëm të këtij projekti, i cili do t’u mundësojë qytetarëve tanë lëvizje më të lehtë dhe gjithashtu do të jetë në dobi për lëvizjen e mallrave”, tha ZekolliShaqiri.

Sipas marrëveshjes së nënshkruar në Shkup në janar 2024 , vetëm për finalizimin e dokumenteve për projektimin e tunelit që do ta lidh këtë rrugë do të duhen një vjet e gjysmë, që do të thotë deri në mes të vitit 2026.

18 muaj është afati për kompletimin e dokumentacionit të projektit për ndërtimin e tunelit për rrugën Tetovë – Prizren, ndërkaq financimi i ndërtimit të tunelit do të bëhet në vlerë proporcionale, sipas gjatësisë së tunelit në territorin e secilës anë. Kjo mes tjerash është e përfshirë në marrëveshjen mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës për ndërtimin e rrugës Tetovë-Prizren, të cilën Portalb.mk e publikoi ekskluzivisht.

Aktualisht prej Tetovës në Prizren, rruga është 109 kilometra, ndërkaq me rrugën e re parashikohet të shkurtohet për 69 kilometra, gjegjësisht kjo rrugë do të jetë e gjatë 40.6 kilometra.

Kjo rrugë në të kaluarën është premtuar në shumë cikle zgjedhore në RMV, por pa realizim deri më tani.