Nëse lodheni duke ecur, mund të pushoni në divanet rrugore që i ofron Çairi (Foto)

Çairi është i ngulfatur nga deponitë e vogla që janë krijuar gjithandej me mbeturina inerte përreth kontejnerëve. Qytetarëve ju ka ardhur në maje të hundës, ndërsa autoritetet nuk po gjejnë zgjidhje për këtë problem, shkruan Portalb.mk. Edhe pse në disa pika kontejnerët janë të pastruar nga mbeturinat e përditshme, aty sheh mbetje të ndryshme si […]

Nëse lodheni duke ecur, mund të pushoni në divanet rrugore që i ofron Çairi (Foto)
Mbeturina të ngurta në Çair. Foto nga Portalb.mk

Çairi është i ngulfatur nga deponitë e vogla që janë krijuar gjithandej me mbeturina inerte përreth kontejnerëve. Qytetarëve ju ka ardhur në maje të hundës, ndërsa autoritetet nuk po gjejnë zgjidhje për këtë problem, shkruan Portalb.mk.

Edhe pse në disa pika kontejnerët janë të pastruar nga mbeturinat e përditshme, aty sheh mbetje të ndryshme si divane, dyshekë dhe shumë të tjera.

Këto mbetje mes tjerash pengojnë edhe lëvizjen e lirë të këmbësorëve, por edhe të veturave.

Qytetarët që takuam në Çair kërkojnë nga autoritetet të marrin masa menjëherë dhe të pastrojnë këto mbetje.

Një qytetar tha se ky problem është i pranishëm në të gjithë Çairin.

“Edhe qytetarët kanë pjesën e tyre të fajit, por ndërmarrja “Higjiena Komunale” nuk i mbledh mbeturinat rregullisht. Kryetarja e Shkupit duhet të marrë masa urgjente për të zgjidhur këtë problem”, tha qytetari.

Ngjashëm mendon edhe Kadrije Mamuti.

“Qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm ku i hedhin mbeturinat, por edhe Komuna e Çairit duhet të marrë masa të shpejta zgjidhjen e këtij problemi“, tha Mamuti.

Një qytetar tjetër u shpreh i revoltuar, ai thotë se fajin e kanë institucionet.

“Nuk e kuptoj pse një shtet nuk mund të gjejë një zgjidhje më afatgjate që ta rregullojë problemin me mbeturinat në këtë lagje. Gati çdo ditë përballemi me këto pa rregullsi dhe me mbeturina qe hedhen gjithandej. Për këto probleme duhet të marrë masa shteti, dhe ky problem të zgjidhet njëherë e përgjithmonë”, tha qytetari.

Nga ana tjetër Nehat Ameti theksoi se në raste të tilla duhet të ketë edhe masa ndëshkuese.

“Situata e mbeturinave në Çair është një katastrofë e vërtetë. Pastrimi i rrugëve dhe mbledhja e mbeturinave janë në gjendje të keqe. Edhe qytetarët kanë pjesën e tyre të fajit, por ne paguajmë çdo muaj dhe një pjesë e parave tona shkojnë te qyteti i Shkupit. Në fund të fundit, ata që hedhin mbeturina në vende e pa vend duhet të dënohen. Unë si qytetar i ndershëm që paguaj rregullisht, nuk e meritoj të kaloj nëpër rrugë të mbushura me mbeturina”, tha Ameti.

Nga Komuna e Çairit theksuan se përgjegjësia i takon “Higjienës Komunale”.

“Ndërmarrja publike “Higjiena Komunale” i kanë të gjitha pikat e tyre në çdo komunë të qytetit të Shkupit, dhe mbas kësaj ata bëjnë studimin dhe dorëzimin e mbeturinave“ thanë nga Komuna e Çairit.

Kurse nga Ndërmarrja Publike “Higjiena Komunale” nuk përgjigjen në pyetjet gazetareske të Portalb.mk.

Ndryshe çështja e mbeturinave ka qenë ndër temat e takimit të udhëheqësisë së Qytetit të Shkupit dhe Qeverisë së RMV-së, të cilët vazhdojnë të akuzojnë njëra-tjetrën në vend se të gjejnë zgjidhje për problemet.