RMV, zjarret ndezën alarmin: Riorganizimi urgjent i sistemit të menaxhimit të krizave, bashkimi i QMK-së dhe DMSh-së opsion

Komiteti Drejtues për menaxhimin e krizave pas situatës emergjente me zjarret në territorin e vendit do të kërkojë që qeveria të marrë vendim urgjent për të riorganizuar të gjithë sistemin, i cili në fakt nuk ekziston, për të përballuar në mënyrë adekuate çdo krizës që do të lindte në vend. Mëngjesin e sotëm janë aktive […]

RMV, zjarret ndezën alarmin: Riorganizimi urgjent i sistemit të menaxhimit të krizave, bashkimi i QMK-së dhe DMSh-së opsion
Mbledhja e komitetit drejtues për menaxhimin e krizave/Foto: QMK

Komiteti Drejtues për menaxhimin e krizave pas situatës emergjente me zjarret në territorin e vendit do të kërkojë që qeveria të marrë vendim urgjent për të riorganizuar të gjithë sistemin, i cili në fakt nuk ekziston, për të përballuar në mënyrë adekuate çdo krizës që do të lindte në vend. Mëngjesin e sotëm janë aktive 7 vatra zjarri, 16 janë shuar dhe 4 janë nën kontroll nga gjithsej 27 zjarre gjatë ditës së djeshme. Reshjet e paralajmëruara pritet të shuajnë plotësisht zjarret, transmeton Portalb.mk.

Vendimi i dytë i referohet NP Pyjeve Kombëtare, të cilat do të marrin 15 tonë karburant nga rezervat e shtetit, në mënyrë që të ndihmojnë sa më shpejt në situatën e përgjithshme të krizës që ka ndodhur me zjarret.

“Është fakt se një pjesë e mirë e vendit është djegur në Maqedoni në periudhën e kaluar dhe fakt është se kjo që po ndodh është e mjerueshme për një vend që dëshiron të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, nga pikëpamja që në Maqedoni nuk ka asnjë sistem që mund të përballet në mënyrë adekuate me menaxhimin e krizave, i cili në mënyrë adekuate do t’i përgjigjet situatave të krizës në Maqedoni, veçanërisht në fushën e zjarreve”, tha ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, i cili e drejtoi seancën e sotme.

Në thelb, një nga drejtimet e riorganizimit të paralajmëruar të sistemit të menaxhimit të krizave do të konsistonte në integrimin e Qendrës së Menaxhimit të Krizave dhe Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Shpëtimit në një organ të vetëm që do t’i përgjigjet situatave të krizës.

“Dobësitë i shihni të gjithë, nuk kemi nevojë t’i shpjegojmë, fakti është se duhet të riorganizohemi rrënjësisht në drejtim të një reagimi të përshtatshëm për një situatë të tillë krize. Po mendohet në drejtim të krijimit të një organi në të ardhmen që do të ketë kapacitete materiale dhe njerëzore për t’iu përgjigjur në mënyrë të duhur situatave të tilla krize. Kjo do të ishte një nga zgjidhjet e mundshme sistematike”, tha Toshkovski.

Domosdoshmërinë e reformimit të thellë të të gjithë sistemit të menaxhimit të krizave e theksoi dhe shpjegoi drejtori i QMK-së, Stojançe Angelov, i cili shtoi se ministrat e qeverisë së re kanë vullnet të fortë dhe të qartë për ta bërë këtë.

“Për momentin si në QMK ashtu edhe në DMSh kemi mbipunësim në disa pozita ku thjesht nuk kemi nevojë. Nuk do të veçoja disa qytete ku QMK ka filialet e saj, qendra rajonale ku ka shumë njerëz dhe ku kemi nevojë për njerëz, mungojnë”, tha Angelov.

Ministri Toshkovski theksoi se kjo është një situatë e trashëguar dhe një sistem i rrënuar i menaxhimit të krizave që nuk mund të përgjigjet në mënyrë efektive në terren kur ndodhin situata krize në shkallë të gjerë si zjarret:

“Është fakt që Qendra për Menaxhimin e Krizave dhe të gjitha institucionet e tjera funksionojnë brenda kapaciteteve që i kemi trashëguar, por fakt është se është e pamjaftueshme dhe sidomos e parakohshme sipas nevojave. Burimet janë atje, njerëzit janë atje, mundësitë janë atje, por fakti është se ne trashëguam një sistem të rrënuar dhe që nëse duam të jetë ashtu siç duhet, duhet ta reformojmë rrënjësisht”, tha ministri Toshkovski.

Ndër masat që Ministria po ndërmerr tani është edhe zbulimi i autorëve që shkaktuan zjarret, kështu që është themeluar aksioni operativ i quajtur “Zjarri 24”, në të cilin janë përfshirë e gjitha SPB-të në Maqedoni.

“Është fakt se shumica e zjarreve shkaktohen nga faktori njerëzor. Deri më tani kemi dy të dyshuar për dy ngjarje konkrete penalo-juridike dhe janë ndërmarrë hapat e duhur procedural në drejtim të zbulimit të së vërtetës dhe procedimit të mëtejmë pranë organeve kompetente. Dua t’i bëj thirrje çdo qytetari, nëse është në një situatë ku sheh se ka dyshime për ndonjë veprim të kundërligjshëm nga kushdo, të informojë menjëherë, policia do të përgjigjet menjëherë dhe do t’i ndërmarrë të gjitha ato hapa me ashpërsi për këdo që gabon në këtë pjesë që të jetë veçanërisht i përgjegjshëm”, tha Toshkovski.

Nga katër zjarret aktive sot, sipas Angellovit, zjarri më aktiv, më i rëndë dhe më i vështirë për t’u shuar është ai në Makedonski Brod, i cili lëviz në afërsi të Jasenit, përkatësisht në drejtim të fshatit Breznicë dhe Tazhevë.

Ndryshe, sipas Angelovit, fatmirësisht në intervenimet e deritanishme nuk ka pasur viktima njerëzore, një zjarrfikës dhe një banor kanë mbetur të lënduar.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut  ka marrë vendim për ekzistimin e gjendjes së krizës për shkak të rritjes së shfaqjes së zjarreve në territorin e vendit.

Kujtojmë se është vënë ndalesë e plotë e lëvizjes në pyje dhe toka pyjore në territorin e menaxhuar nga NP “Pyjet Kombëtare”, i cili do të zgjasë deri në ditën e shfuqizimit të tij, në periudhën nga ora 06:00 deri në orën 20:00.