RMV, nga 43 zjarret e djeshme, nëntë janë ende aktive, sot mblidhet Shtabi Qendror i QMK-së

Në 24 orët e fundit në territorin e shtetit janë shënuar gjithsej 43 vatra zjarri në ambient të hapur, nga të cilat, siç njoftoi mëngjesin e sotëm Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK), nëntë janë ende aktive. Nga zjarret tjera, sipas informacioneve të QKM-së, katër janë vënë nën kontroll dhe 30 janë shuar, transmeton Portalb.mk. […]

RMV, nga 43 zjarret e djeshme, nëntë janë ende aktive, sot mblidhet Shtabi Qendror i QMK-së
Shuarje e zjarreve. Foto printscreen nga video e QMK-së

Në 24 orët e fundit në territorin e shtetit janë shënuar gjithsej 43 vatra zjarri në ambient të hapur, nga të cilat, siç njoftoi mëngjesin e sotëm Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK), nëntë janë ende aktive. Nga zjarret tjera, sipas informacioneve të QKM-së, katër janë vënë nën kontroll dhe 30 janë shuar, transmeton Portalb.mk.

Zjarri pranë fshatit Negrevë, afër Pehçevës, i cili rrezikonte të arrijë në qytet, është ende aktiv dhe vazhdon të digjet në komunën e Staro Nagoriçanit, afër fshatrave Malotinë dhe Zheglane.

Zjarret janë aktive edhe në afërsi të fshatit Tatomir në Kratovsës, në komunën e Makedonski Brodit, gjegjësisht degës drejt “Jasenit”, pastaj afër fshatrave Gjugjanci i Epër dhe i Poshtëm, Stroimanci dhe Raçenci në komunën e Shën Nikollës.

Në territorin e Probishtipit, sipas raportimit të mëngjesit të QMK-së janë aktive dy vatra zjarri. Njëra në shtrirjen ndërmjet fshatrave Zelenigrad dhe Jamishte, dhe tjetra afër fshatrave Strisovc dhe Barbarevo.

Zjarri në afërsi të fshatit Pllasnicë të komunës me të njëjtin emër është përhapur edhe në fshatin Latovë në territorin e Makedonski Brodit, ndërsa zjarri është aktiv edhe në afërsi të fshatit Presekë të Komunës së Koçanit.

Sipas QMK-së, zjarret në malin Iliniska afër Demir Hisarit, afër fshatrave Glavovica dhe Ponikva në Koçan dhe dy zjarre në territorin e Shën Nikollës – afër fshatit Orel afër fshatit Mezdra dhe afër fshatit Erxhelia – janë nën kontroll.

Sot në mëngjes mblidhet Shtabi Kryesor për Menaxhimin e Krizave në QMK, nën udhëheqjen e drejtorit Stojançe Angelov, ku, siç bëhet e ditur nga atje, është e pranishme edhe zyrtarja ndërlidhëse e Mekanizmit të Bashkimit Evropian për mbrojtje civile, Claire Kovalecki.

Në seancë u shqyrtuan situatat dhe ngjarjet e raportuara nga situata e krizës me zjarre në natyrë, të cilat janë të përmasave më të mëdha.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka marrë vendim për ekzistimin e gjendjes së krizës për shkak të rritjes së shfaqjes së zjarreve në territorin e vendit.

Kujtojmë se është vënë ndalesë e plotë e lëvizjes në pyje dhe toka pyjore në territorin e menaxhuar nga NP “Pyjet Kombëtare”, i cili do të zgjasë deri në ditën e shfuqizimit të tij, në periudhën nga ora 06:00 deri në orën 20:00. 

Ndryshe, dje drejtori i Qendrës për Menaxhimin e Krizave (QMK), Stojançe Angelov, tha se në seancën e djeshme të Këshillit drejtues kanë marrë vendim që t’i propozojnë Qeverisë përfshirjen e mekanizmit të ndihmës së NATO-s përmes të cilit mund të kërkohet ndihmë nga zjarrfikësit me përvojë.