RMV, shteti përgatiti shportën, qytetarët i zbrazin xhepat

Derisa qeveria përgatiti masat, çmimet në tregje dhe markete “u egërsuan”, ankohen qytetarët. Qeveria të premten në seancë të jashtëzakonshme kufizoi marzhet me 10 përqind për 73 produkte. Shpenzimt e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike pritet të ulen mesatarisht me 10 përqind, shkruan Radio Evropa e Lirë, transmeton Portalb.mk. “Rritje të çmimeve ka, madje jonormale. Çdo […]

RMV, shteti përgatiti shportën, qytetarët i zbrazin xhepat
Market, produkte, foto: Unsplash/Victoriano Izquierdo

Derisa qeveria përgatiti masat, çmimet në tregje dhe markete “u egërsuan”, ankohen qytetarët. Qeveria të premten në seancë të jashtëzakonshme kufizoi marzhet me 10 përqind për 73 produkte. Shpenzimt e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike pritet të ulen mesatarisht me 10 përqind, shkruan Radio Evropa e Lirë, transmeton Portalb.mk.

“Rritje të çmimeve ka, madje jonormale. Çdo ditë i rrisin çmimet”, thotë Nada Dimitrievska nga Shkupi, derisa qytetarët presin ulje të çmimeve të produkteve ushqimore bazë, masë të cilën Qeveria e solli të premten në një seancë të jashtëzakonshme, e cila kufizoi marzhet bruto të fitimit të gjithsej 73 produkteve në 10 përqind.

E ashtuquajtura shporta e vjeshtës përfshin bukë, produkte buke dhe qumështore, qumësht, mish dhe produkte mishi, pjesë të konservave, fruta, perime, oriz, fasule, makarona.

Tregtarët do të kenë detyrim t’i blejnë dhe shesin këto produkte në sasi mujore prej të paktën 70 përqind të sasive të blera në muajin gusht.

Mirëpo, teksa qeveria pritej të sjellë vendimin, çmimet në tregje dhe markete “kanë kapur qiellin”.

“Çmimet jo vetëm që janë rritur, por janë rritur shumë. Po ja, do gjejmë diçka më të lirë dhe kështu do ia dalim”, thotë Katarina Ristovski nga Shkupi për REL.

Qytetarët  i numërojnë paratë dhe bëjnë llogari se çfarë të blejnë, e nga çfarë të heqin dorë në këtë periudhë të vitit, kur tradicionalisht bëhen turshitë dhe ushqimet për gjatë dimrit. Por, për një numër të madh të njerëzve specat për ajvar tashmë janë luks – një kilogram shitet nga 60 deri në 80 denarë.

Çmimet e larta i konfirmoi nga ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, në një konferencë për media më 20 shtator. Siç tha Durmishi, indeksi i kostos së jetesës së gushtit 2024 krahasuar me dhjetorin 2023 ka shënuar një rritje prej 4 përqind të kostove të ushqimit.

Rritja më e madhe është vërejtur te frutat prej 10 përqind. Për qumështin, djathin dhe vezët rritja është 6,6 përqind, për perimet 3,9 përqind, për mishin 3,3 përqind dhe për bukën dhe drithërat rritja është 2 përqind. Për të njëjtën periudhë, shpenzimet për pije joalkoolike janë rritur me 9.4 përqind.

“Ne besojmë se kjo rritje e kostos së ushqimit dhe pijeve joalkoolike është e tepruar dhe joproporcionale me kostot e prokurimit dhe operimit që kanë shitësit me pakicë. Vlerësimet tona janë se me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, kostoja e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike do të ulet mesatarisht rreth 10 përqind”, tha Durmishi.

Vendimi hyn në fuqi të nesërmen pas botimit në “Gazetën Zyrtare” dhe do të zbatohet deri më 31 tetor.

Qeveria do të mundohet ta rrisë fuqinë blerëse të qytetarëve  me shporta konsumatore sezonale.

Pas shportës vjeshtore duhet të ketë edhe një shportë pranverore me çmime më të ulëta, si dhe ulje të çmimeve për festat e Krishtlindjeve, Ramazanit dhe Pashkëve dhe atë për produktet që konsumohen më së shumti në atë periudhë të vitit.

Një kilogram domate kushton 150 denarë

Rritje drastike të çmimeve ka tek perimet dhe frutat, krahasuar me çmimet e  tyre dy javë më parë – në markete një kilogram domate shitet për 150 denarë, një kilogram speca dhe tranguj kushtojnë mbi njëqind denarë, kilogrami i rrushit është rreth 80 denarë…

Qytetarët kanë vënë re se po rriten edhe çmimet e produkteve ushqimore bazë.

“Qumështi, vezët, vaji i ullirit. Këto janë ushqime themelore që në botë janë me një çmim më të ulët në mënyrë që njeriu i zakonshëm të mund të mbijetojë. Duhet menduar në përgjithësi, çmimet e tyre të jenë më të ulëta gjatë gjithë vitit. Tani i kanë rritur çmimet, e hajt, do i ngrijmë…por jo me atë çmim, le t’i ngrijnë sa janë më të ulëta. Unë mendoj se kjo është vetëm një, të mos them, mashtrim i njerëzve. Si një gënjeshtër e vogël”, thotë Adrijana Temova nga Shkupi.

Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) njoftoi se shporta minimale sindikaliste për muajin gusht ishte 61.199 denarë. Kjo është një rritje prej 629 denarë në krahasim me shportën minimale për muajin korrik.

Pjesa më e madhe e këtyre parave, më shumë se 30 përqind ose 22.300 denarë, shpenzohen për ushqim.

Nga LSM-ja njoftuan se në periudhën nga muaji janar deri në muajin gusht shporta minimale është rritur për 4.036 denarë, ndërsa prej kur ka filluar të përllogaritet sipas metodologjisë së re, përkatësisht nga dhjetori i vitit të kaluar deri në gusht të këtij viti, rritja është 4.677 denarë.

“Ne mendojmë se çdo gjë që bëhet në interes të punëtorëve, për uljen e çmimeve, është një ide e mirë, por duhet të zbatohet në tërësi. Shpresojmë që pjesa e ushqimeve dhe pijeve që ne si LSM e përllogarisim, do të jetë pikënisja për atë se cilat janë ato njëqind produkte tek të cilat do të duhet të kufizohen marzhet për t’i ndihmuar punëtorët me të ardhura më të ulëta. Sot ne i paguajmë perimet sikur të ishte muaji janar, frutat i paguajmë sikur të ishim në mes të dimrit, diçka që nuk është e arsyeshme”, tha Sllobodan Trendafillov, kryetar i LSM-së.

Enti i Statistikës, nga ana tjetër, ka përllogaritur se tek shpenzimet për jetesë në muajin gusht, krahasuar me korrikun, rritja më e madhe është te ushqimet dhe pijet joalkoolike dhe atë për 1,2 përqind.

Shkalla e inflacionit për muajin gusht ka qenë 2,2 përqind krahasuar me muajin  gusht të vitit 2023.

Organizata e konsumatorëve: Shporta është e dobishme, por afatshkurtër

Nga Organizata e konsumatorëve (OKM) kanë vlerësuar se shporta e vjeshtës është e dobishme, por afatshkurtër.

“Ne nuk jemi të përfshirë në diskutim, por gjithmonë kemi qenë pro uljes së marzheve. Sidomos tani kur kemi një rritje enorme të çmimeve, ne si konsumatorë jemi zënë ngusht dhe e zvogëlojmë konsumin e gjërave për të kursyer diçka, gjë që gjithë kohën ndikon në ekonominë e vendit”, tha Marijana Llonçar Vellkova, kryetare e OKM-së.

Ajo është e mendimit se Ligji për Ndalimin e Praktikave të Padrejta Tregtare duhet të vendosë rregull tek çmime dhe tha se zbatimi i tij duhet të fillojë me kohë, sepse konsumatorët në mënyrë indirekte do të mbrohen me këtë ligj.

Ligji parasheh që më shumë se 2.500 produkte bujqësore dhe ushqimore të kenë marzhe të kufizuara deri në 10 përqind (kjo është diferenca midis çmimit me të cilin e blejnë një produkt të caktuar me atë me të cilin do ta shesin më pas).

“Këto janë praktika të padrejta tregtare që u imponohen vetë prodhuesve nga tregtarët. Ata janë furnizuesit e tyre. Konsumatorët në mënyrë indirekte do të mbrohen me këtë sepse do të zvogëlohen marzhet e atyre 2.500 produkteve me të cilat i furnizojnë furnitorët”, tha Llonçar Vellkova.

Ligji për ndalimin e praktikave të padrejta tregtare  do duhet të hyjë në fuqi më 29 shtator, pasi u shty për gjashtë muaj për tu mundësuar kompanive që të përshtaten me rregullat e reja.

Durmishi tha se kur të përfundojë masa e marzhit të kufizuar, më 31 tetor do të fillojë të zbatohet ky ligj, i cili do t’i mbrojë qytetarët nga rritjet e mëtejshme të çmimeve.

Ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se rritja e çmimeve është si pasojë e rënies së prodhimtarisë së ushqimit në vend  dhe sipas tyre, çfarë do masë e qeverisë mund të ketë vetëm një efekt afatshkurtër.

Vendi jonë po bëhet peng i importit. Ne po importojmë gjithnjë e më shumë, prodhojmë gjithnjë e më pak për konsum të gjerë. Duhet të ndryshojmë mendësi, duhet ta ndryshojmë strategjinë me të cilën do ta mbështesim prodhimtarinë vendase, që sigurisht do duhet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në uljen e çmimeve. Nëse vazhdojmë të jemi të varur nga importi edhe çmimet do të jenë më të larta”, tha analisti ekonomik Arben Halili në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë.

LSDM-ja opozitare vlerësoi se të gjitha masat e deritanishme të shpallura nga Qeveria janë të vonuara, ndërsa shporta e vjeshtës të cilën ajo e premtoi do të bëhet shportë dimërore.

Çmimet e ushimit po rriten në mënyrë të pakontrolluar dhe Qeveria tashmë duhej të kishte marrë masa për zvogëlimin e tyre, e jo të presë. Në vend të ngrirjes së çmimeve të produkteve, Qeveria e Mickoskit ngriu pagat, gjë që është shumë gabim. Kështu nuk është rasti me qeveritë fqinje që me të madhe po ndërmarrin veprime për uljen e çmimeve, ndërsa pagat kanë vazhduar të rriten. Në Serbi, për shembull, janë ulur çmimet e më shumë se 700 produkteve”, njoftojnë nga LSDM.

Mali i Zi fushatën e çmimeve të kufizuara e filloi më 6 shtator, e ajo përfshin kufizimin e marzheve të produkteve me rëndësi të veçantë për jetën dhe shëndetin e njerëzve dhe përmban një listë me 71 produkte.

Në Serbi më 1 shtator filloi fushata “Çmimi më i mirë”, në kuadër të së cilës çmimet e rreth 700 produkteve në rreth 2.500 shitore me pakicë në vend do të jenë më të ulëta deri në fund të tetorit. Fushata përfshin 81 lloje të produkteve, ndërsa zbritja mesatare do të jetë 26,82 përqind.