Rruga drejt BE-së në pikëpyetje!

Mickoski përsëriti se gjatë mandatit të tij si kryeministër nuk do të ketë ndryshime kushtetuese.  Gazetari Lirim Mehmetaj, për gazetën KOHA, ka deklaruar se tashmë që i kemi parë ministrat The post Rruga drejt BE-së në pikëpyetje! appeared first on Flaka, në çdo lajm... .

Rruga drejt BE-së në pikëpyetje!

Mickoski përsëriti se gjatë mandatit të tij si kryeministër nuk do të ketë ndryshime kushtetuese.  Gazetari Lirim Mehmetaj, për gazetën KOHA, ka deklaruar se tashmë që i kemi parë ministrat e zgjedhur dhe deklarimet e hapura të kryeministrit të ri, mund të thuhet si fakt se kjo qeveri është krejtësisht pro ruse dhe pro serbe

Në orët e vona të ditës së diel u votua qeveria e re me kryeministër Hristijan Mickoski. Lajmin se u zgjodh qeveria e re e publikuan të gjitha mediat rajonale. Në Serbi i’u kushtua vëmendje faktit që njëri nga zëvendëskryeministrat do të jetë serb, në Bullgari lajmi kryesor është deklarata e Mickoskit se nuk do të ketë ndryshime nën diktatin bullgar. Në pjesën tjetër të mediave të rajonit fokusi është te ritmet e ngadalta të integrimit të vendit kundrejt faktit se është kandidat për në BE që nga viti 2005, si dhe kujtimi i bllokadës bullgare dhe kushteve të reja për vendin, edhe pas ndryshimit të emrit.

Koalicioni shqiptar VLEN dhe partia e udhëhequr nga Mickoski – VMRO, kanë premtuar se do të përkushtohen për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian (BE). Barra më e madhe do t’i ngarkohet, ministrit të ri të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski. I cili nga dita e parë në mandatin e tij, udhëton për në Luksemburg, ku do të marrë pjesë në një takim mes ministrave të Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Takimi mbahet në kuadër të Këshillit për Punë të Jashtme të BE-së dhe do të diskutohen proceset integruese evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe modalitetet për forcimin e bashkëpunimit dhe pranisë së BE-së në atë rajon. Mucunski nga Luksemburgu do të vazhdojë vizitën e parë të punës në Bruksel, gjatë së cilës do të takohet me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, si dhe me përfaqësues të rangut të lartë të Bashkimit Evropian.

JO PËR NDRYSHIMET KUSHTETUESE

Në fjalimin e seancës parlamentare për zgjedhjen e qeverisë së re, Hristijan Mickoski tha se “sulmet që kam dëgjuar këto dy ditë në përgjithësi janë reduktuar në dy teza, e para është Marrëveshja e Prespës dhe emri, e dyta është propozimi francez dhe korniza e negociatave”. Ai edhe njëherë përsëriti se gjatë mandatit të tij si kryeministër, nuk do të ketë ndryshime kushtetuese nën diktatin bullgar.  “Teza se Marrëveshjen e Prespës e quajtëm një gjë, ndërsa bëmë gjë tjetër jo vetëm që është e rreme dhe e turpshme, por ja ku po ju sqaroj edhe njëherë se ky lloj diktati bullgar në këto rrethana nuk do të kalojë sa të jem kryeministër dhe nuk do të ketë ndryshime kushtetuese, këtë duhet ta keni të qartë”, u shpreh Mickoski.

Nga Fronti Europian, të cilët u larguan nga salla e Parlamentit në momentin e votimit të qeverisë,  reaguan edhe për programin e qeverisë posaçërisht për segmentin e integrimit.  “Është normale që në program nuk mund të gjesh atë që është më e rëndësishme për Maqedoninë e Veriut – integrimin evropian. Nuk ka afat se kur do të bëhen ndryshimet kushtetuese. Përmendet BE-ja dhe mënyra se si duhet të jemi anëtarë të Bashkimit Evropian janë ndryshimet kushtetuese. Dhe nuk është më një mosmarrëveshje dypalëshe me Bullgarinë, por një mosmarrëveshje me Bashkimin Evropian. Ata luajnë politikë ditore. Ata kombinojnë gënjeshtra para qytetarëve, vetëm për të mbijetuar në politikë për qëllimet që e dinë vetëm ata, e jo për të mirën e qytetarëve”, kritikoi Ziadin Sela nga Fronti Evropian. Ai tha se shumicës së re i mungon legjitimiteti në mesin e votuesve shqiptarë dhe komuniteteve të tjera etnike në vend. Sela shprehu pakënaqësinë që kjo shumicë filloi me përpjekje për të penguar fjalën dhe shprehjen e lirë të deputetëve.

Ndërkaq, gjatë marrjes së detyrës së kryeministrit, lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, shkroi se sot kishte nderin ta merr postin e kryeministrit nga paraardhësi i tij. “Në ceremoninë në ambientet e Qeverisë, si kryeministër i sapozgjedhur, theksova se do të respektoj parimet e transparencës, përgjegjësisë dhe progresit. Vizioni im synon rritjen ekonomike, kohezionin social dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Ne mbetemi të përkushtuar për zgjidhjen e çështjeve urgjente me të cilat përballemi dhe për të punuar drejt një shteti të bashkuar dhe të begatë. Me përgjegjësinë e re që po marr, vazhdojmë të punojmë për interesat e të gjithë qytetarëve tanë dhe arritjen e synimeve kombëtare, brenda dhe jashtë vendit”, ka shkruar Mickoski.

QEVERI PRO RUSE E PRO SERBE

Gazetari dhe kryeredaktori i Albanianpost Lirim Mehmetaj, për gazetën KOHA, ka deklaruar se tashmë që i kemi parë ministrat e zgjedhur dhe deklarimet e hapura të kryeministrit të ri, mund të thuhet si fakt se kjo qeveri është krejtësisht pro ruse dhe pro serbe. Kjo, siç tha ai, është shumë keq për Maqedoninë e Veriut në përgjithësi, e tmerrësisht keq për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut në veçanti. “Më lejoni ta them se është një situatë aspak befasuese për mua dhe diçka që e kam thënë në vazhdimësi para zgjedhjeve. Kjo jo për shkak të ndonjë dije të veçantë nga ana ime, porse ishte moment pothuajse identik si në Kosovë, që kishte ndodhur para 4 vjetëve, kur ‘ndryshimi’ u proklamua si avancim në vetvete, pa e analizuar mirë faktin se kush e valëviste flamurin e ndryshimit. Njëjtë si në Kosovë, ku u demonizuan në zgjedhje partitë e vjetra politike, me krijimin e një përshtypje sikurse problemi janë ata dhe ndryshimi kualitativ ndodhë thjesht me largimin e tyre, pa u sqaruar mirë kush ishin zëvendësuesit”, theksoi Mehmetaj.

Ai shtoi se tash Maqedoninë e Veriut e presin vite të vështira, regres, përçarje më e madhe, dobësim i aleancave me Perëndimin, zvogëlim i transparencës dhe llogaridhënies dhe devalvim e margjinalizim i shqiptarëve në qeveri e rrjedhimisht në Maqedoni të Veriut. “E di saktësisht edhe cilat do të jenë arsyetimet e politikanëve shqiptarë që tash janë në qeveri. Prapë, e di sepse e kam parë se çfarë ka ndodhur në Kosovë. Sa herë t’i pyesin Taravarin, Mexhitin e të tjerët përse nuk po bëhet çfarë kanë premtuar në fushatë, ata do të përgjigjen me pyetjen ‘përse nuk e bënë të tjerët për 20 vjet. Pra, është yrnek i ngjashëm si në Kosovë”, nënvizoi Mehmetaj. 

Sipas tij, fatkeqësia e madhe e gjithë situatës është se, ndryshe nga Kosova, në Maqedoninë e Veriut, nuk ishte populli që vendosi kështu, por mekanizmat maqedonase që ia dhanë mundësinë për t’u futur në koalicion një grupi si VLEN, të cilët në zgjedhje nuk fituan, por humbën. “Gjithë kësaj situate i ndihmojë paturpësisht kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. I obsesionuar për të luftuar gjithçka që ka lidhje me UÇK-në, ai u angazhua me gjithë forcat për ta larguar nga pushteti Ali Ahmetin dhe BDI-në, që, me gjithë defektet, vazhdon të mbetet partia e vetme që realisht mund t’iu konkurrojë rrymave nacionaliste dhe anti-shqiptare që përçohen përmes VMRO-DMPNE-së. Fatkeqësisht, kjo qeveri besoj do ta çojë mandatin deri në fund, kështu që shpresoj se opozita atje, shoqëria civile, mediat dhe gjithë shoqëria, janë të përgatitur për të bërë betejën e nevojshme”, theksoi në fund Mehmetaj.

FUQIA E DIKASTEREVE TE VMRO-ja

Nga ana tjetër, gazetari Seladin Xhezairi, për gazetën KOHA, ka deklaruar se kjo Qeveri është pasqyrë e fitores absolute të VMRO-DPMNE-së (në zgjedhjet e dyfishta presidenciale e parlamentare), ndaj mbetet të shihet se a do t’ju japë rrugëzgjidhje problemeve kryesore që i shpërfaqi në platformën parazgjedhore. Duke filluar nga përmirësimi i gjendjes ekonomike, vendosja e shtetit të së drejtës, luftimi i korrupsionit e krimit të organizuar e deri te (mos)ndryshimi i Kushtetutës. “Nëse për objektivat e parë, duhet pritur se çfarë ka për të bërë, për këtë të fundit, kryeministri Hristijan Mickoski tha se ‘sa të jetë gjallë nuk ka për të ndodhur’, duke ia adresuar Bullgarisë kërkesën e jo Bashkimit Evropian, si pjesë e kornizës negociatore. Kuadri i përzgjedhur, po ashtu lë shumë për të dëshiruar, si kur është fjala për sendërtimin e përcaktimit strategjik të shtetit për t’u bërë pjesë e familje evropiane, ashtu edhe për raportet ndëretnike. Kabineti i ri qeverisës reflekton mesazhe edhe për Beogradin, edhe për Prishtinën: Dy nga pesë zëvendëskryeministrat  – Ivan Stoilkoviq e Arben Fetai, – shihen si shumë të afërt me përkatësisht presidentin e Serbisë dhe kryeministrin e Kosovës, pa çka se që të dy kanë artikuluar deri tash qëndrime katërçipërisht të kundërta për realitetin në rajon. Kur kësaj t’i shtohet edhe fakti se Mickoski, shpërfilli Frontin Evropian i cili fitoi më shumë mandate deputetësh në bllokun shqiptar, duke e marrë si partner bllokun pesëpalësh VLEN, gjithçka shpie në përfundimin se ka për të pasur ngërçe serioze në këtë qeverisje”, theksoi ai.

Xhezairi shtoi se përpos përfaqësimit dukshëm më të ulët të shqiptarëve, si në cilësi, ashtu edhe në sasi të dikastereve që do t’i drejtojnë, në programin e shpalosur të qeverisë së re, thuajse nuk është përfshirë asnjë projekt serioz parazgjedhor i VLEN-it, të cilët patën edhe mbështetjen e qeverisë kosovare.  “Për më tepër, është pritur të paktën rruga e shumëpërfolur Tetovë-Prizren të përfshihej në programin e  miratuar të qeverisë së re! Prandaj, veç një revanshizmi ndaj funksionarëve të deritashëm të BDI-së në ekzekutiv, nuk pres ndonjë arritje për nga e cila do të mbahet mend. Së këndejmi është për të pritur kundërpërgjigje nga opozita (shqiptare) që mund të rindezë përplasjet për shpërfilljen e vullnetit dhe të legjitimitetit të fituar në zgjedhjet e fundit dhe pse jo të artikulohen edhe kërkesa për ta bërë shtetin  më funksional edhe për nga sensi i reflektimit të karakterit të tij shumetnik”, shton në fund Xhezairi. (koha.mk)

The post Rruga drejt BE-së në pikëpyetje! appeared first on Flaka, në çdo lajm... .