Shkupi dhe Gostivari “kampionë” në vjedhje të energjisë elektrike

Dëme prej miliona euro shkaktohen nga vjedhja e energjisë elektrike, e cila është bërë një dukuri e rregullt në Maqedoninë e Veriut. Shkupi dhe Gostivari janë dy qytete kampion në vjedhjen e energjisë elektrike. Veprime të tilla të rrezikshme ndërmarrin si individët ashtu edhe kompanitë, duke shpresuar se në këtë mënyrë do ta shmangin pagesën […]

Shkupi dhe Gostivari “kampionë” në vjedhje të energjisë elektrike
Faturë e energjisë elektrike (EVN). Foto: Meta.mk

Dëme prej miliona euro shkaktohen nga vjedhja e energjisë elektrike, e cila është bërë një dukuri e rregullt në Maqedoninë e Veriut. Shkupi dhe Gostivari janë dy qytete kampion në vjedhjen e energjisë elektrike. Veprime të tilla të rrezikshme ndërmarrin si individët ashtu edhe kompanitë, duke shpresuar se në këtë mënyrë do ta shmangin pagesën e faturave, shkruan DW, transmeton Portalb.mk.

Mosndëshkimi apo gjobat e vogla që shqiptohen për ata që kapen duke u kyçur ilegalisht në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike nuk i trembin vjedhësit e energjisë elektrike. Edhe pse mund të jenë zbuluar një herë, shumë nga ata marrin guximin që sërish të kyçen ilegalisht në rrjet.

Për momentin, numër më i madh i rasteve të vjedhjes së energjisë elektrike është regjistruar  në fshatrat Hasangbeg, Seravë, Dizhonska, Saraj, fshati Lisiçe dhe disa zona të qytetit të Shkupit. Disa nga këto lokacione prej vitesh janë përfolur si qendra të prodhimit të kriptomonedhave në Maqedoninë e Veriut.

“Nxjerrja i kriptomonedhave kërkon një konsum të një sasie të madhe të energjisë elektrike. Kjo është arsyeja pse minatorët e kriptomonedhave, për ta rritur fitimin e tyre, shpesh vendosin të manipulojnë me orët matëse” thonë për DW nga elektrodistribucioni.

Përveç vjedhjes së energjisë dhe dëmeve që ato shkaktojnë, minatorët e kriptomonedhave e mbingarkojnë rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike, duke lënë kështu në errësirë ​​më shumë konsumatorë dhe lagje. Në raste ekstreme, mbingarkesa e sistemit të nxjerrjes së kriptomonedhave mund të shkaktojë edhe zjarr. 

Për 312 denoncime janë ngritur 103 procedura

Sipas nenit 235-a të Kodit Penal marrja e paligjshme e energjisë elektrike paraqet vepër penale “vjedhje e energjisë elektrike, energjisë termike ose gazit natyror”, ku është definuar se “ai që me kyçje pa pëlqim të operatorit përkatës të sistemit, me marrje para aparatit për matje, me mënjanim, deaktivizim, bajpasim, ndryshime dhe manipulim të ngjashëm me aparatin për matje ose në mënyrë tjetër pa autorizim do të shfrytëzojë energji elektrike, energji termike ose gaz natyror, me qëllim që për vete ose për tjetrin të përfitojë dobi pronësore të kundërligjshme, do të dënohet me burg deri në tri vite ose me dënim me para”.

Për personat juridikë është e paraparë dënim me para, ndërsa për personat fizik është paraparë dënim me burg deri në tre vjet dhe dëmin me para. Nëse vlera e energjisë elektrike, energjisë termike ose gazit natyror të vjedhur është më e madhe, kryerësi do të dënohet me burg deri në pesë vite dhe me dënim me para.

Nga Elektrodistribucioni për DW thonë se nga fillimi i vitit 2024 janë dorëzuar 312 denoncime për shfrytëzim të paligjshëm të energjisë elektrike, por deri më tani janë proceduar 103 procedura gjyqësore për vjedhje të energjisë elektrike.

“Vjedhjet nuk kryhen vetëm nga persona fizikë. Gjithnjë e më shumë po rritet edhe numri i subjekteve juridike me të hyra të mëdha që në masë të madhe e përdorin energjinë elektrike në mënyrë të paligjshme”, tha për DW zëdhënësja e EVN-së, Vjosa Selimi.

Pak kohë më parë policia e Tetovës ka ngritur kallëzim penal kundër një banori të fshatit Kamenjan për vjedhje të energjisë elektrike. Ai që vitin kaluar ka manipuluar me pajisjet matëse, me ç’rast ka bërë kyçje të drejtpërdrejtë në rrjetin elektrik, duke i shkaktuar EVN Maqedoni dëme materiale prej mbi 230 mijë denarë.

Kallëzim penal është ngritur edhe për një inspektor të policisë nga Struga për vjedhje të energjisë elektrike nga një shtyllë e EVN-së. Siç informuan këto ditë nga MPB-ja, ai është kyçur në shtyllë ilegalisht përmes matësit elektrik të vendosur në shtëpinë e babait të tij të ndjerë, nga ku ka lëshuar një kabllo për energji elektrike në drejtim të shtëpisë së tij.

Vjedhjet evidente, vjedhësit nuk heqin dorë

Sipas statistikave të kompanisë rreth një e katërta e autorëve në vitin 2024 janë persona që e kanë përsëritur këtë vepër penale në një periudhë 3-4 vjeçare.

“Numri kaq i madh i përsëritjeve të veprës penale është mjaft shqetësues dhe alarmues dhe është rezultat i dënimit joadekuat, gjegjësisht shqiptimit të dënimeve sa më të lehta, apo mosdënimit të plotë të autorëve nga gjykatat”, thonë nga Elektrodistribucioni.

Sipas tyre, një numër i madh i këtyre autorëve tashmë ia lejojnë vetes edhe kyçjen e drejtpërdrejtë me kabllo në shtyllat e tensionit të ulët, që do të thotë se vjedhjet e tyre bëhen hapur, janë plotësisht evidente për shoqërinë dhe institucionet.

“Elektrodistribucioni duke përdorur mjete dhe zgjidhje inteligjente është në gjendje të zbulojë çdo lloj manipulimi dhe ndikimi në rrjet dhe pas zbulimit menjëherë ndaj të gjithë autorëve pa përjashtim ngrihen kallëzimet përkatëse penale. Kompania është plotësisht e dedikuar për dokumentimin dhe përpunimin e të gjitha përdorimeve të paligjshme të energjisë elektrike”, thotë Vjosa Selimi.

Humbjet më të mëdha janë regjistruar në Shkup dhe Gostivar

Humbje më të mëdha të energjisë elektrike si pasojë e vjedhjes  ka në Shkup dhe Gostivar.

“Natyrisht që humbje të energjisë elektrike ka edhe në qytetet tjera si në Kumanovë, Strumicë, Prilep etj. për momentin lokacionet me humbjet më të mëdha janë fshati Hasanbeg, Seravë, Dizhonska, Saraj, fshati Lisiçe, disa zona të qytetit të Shkupit dhe të tjera”, thonë nga EVN.

Për t’i evituar vjedhjet, EVN ka filluar me rikonstruimin dhe modernizimin e rrjetit të distribuimit në disa lokacione, përkatësisht në Haraçinë, Gërçec, Draçevë, Sllupçan e të tjera. Veprime të tilla vijojnë pasi në vitin 2022 u zbulua se vetëm në komunën e Haraçinës  për një vit është vjedhur apo nuk është paguar energji elektrike në vlerë prej 6 milionë euro, ndërsa rreth 50 milionë euro ka qenë vlera e energjisë elektrike të vjedhur për një vit vetëm në rajonin e Shkupit. Humbje të energjisë elektrike ka edhe në komuna të tjera si në Kumanovë 16%, Tetovë 12%, Gostivar 19%, Kërçovë 12%…

Vitin e kaluar tensione ka pasur edhe në fshatin Sllupçan të Likovës, ku ekipeve të EVN-së nuk u është lejuar të hyjnë në fshat për ta bërë rikonstruimin e rrjetit. Ky fshat konsiderohet si një nga mospaguesit më të mëdhenj të energjisë elektrike. Nga përllogaritjet e vitit të kaluar del se humbjet e përgjithshme vjetore për shkak të vjedhjeve në fshatin Sllupçan kanë qenë mbi 1 milion euro, pra rreth 6 GWh. Në përqindje, 80% e energjisë së konsumuar vjetore vidhet, ndërsa vetëm një e treta e 20% të energjisë së faturuar paguhet.

Sulme fizike dhe kërcënime

“Elektrodistribucioni që nga viti 2010, e sidomos këto vitet e fundit, i është përkushtuar zbatimit të projekteve për rikonstruimin dhe modernizimin e rrjetit të distribuimit. Këto projekte, përveçse janë në interes të përdoruesve dhe mundësojnë furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike, kontribuojnë edhe në uljen e humbjeve dhe eliminimin e vjedhjeve. Fatkeqësisht, edhe pas historive të shumta të suksesshme të rindërtimit të plotë të rrjetit të shpërndarjes, praktika ka treguar se pas disa kohësh ekipet e kompanisë përballen sërish me të njëjtat probleme dhe pengesa, të cilat kryesisht shkaktohen nga të njëjtët përdorues problematikë”, thotë zëdhënësja e EVN-së Vjosa Selimi.

Punonjësit e kompanisë shpesh përballen edhe me sulme fizike gjatë punës dhe kërcënime që nuk marrin fund as pas heqjes së lidhjeve të paligjshme.

“Persona të caktuar problematikë i fotografojnë punonjësit e EVN-së gjatë kryerjes së detyrës, me qëllim që të vazhdojnë të bëjnë presion psikologjik ndaj tyre”, shton Selimi.