Solidariteti në veprim: 110 shtetas të huaj për momentin po e ndihmojnë RMV-në për tu përballë me zjarret

Solidaritet në veprim, ka shkruar sot në rrjetin social X euroambasadori në RMV, David Geer, duke theksuar se avionë, helikopterë dhe automjete nga Çekia, Gjermania, Sllovenia, Serbia dhe Suedia po ju bashkëngjiten partnerëve të tyre në Maqedoninë e Veriut për të luftuar kundër zjarreve, raporton Meta.mk, transmeton Portalb.mk. E gjithë kjo bëhet përmes të ashtuquajturit […]

Solidariteti në veprim: 110 shtetas të huaj për momentin po e ndihmojnë RMV-në për tu përballë me zjarret
Foto: Profili në X i Delegacionit të BE-së në RMV

Solidaritet në veprim, ka shkruar sot në rrjetin social X euroambasadori në RMV, David Geer, duke theksuar se avionë, helikopterë dhe automjete nga Çekia, Gjermania, Sllovenia, Serbia dhe Suedia po ju bashkëngjiten partnerëve të tyre në Maqedoninë e Veriut për të luftuar kundër zjarreve, raporton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

E gjithë kjo bëhet përmes të ashtuquajturit Mekanizëm për Mbrojtje Civile të BE-se, gjegjësisht të gjitha ndihmat që i ka marrë shteti në transhën e dytë nga 31 korriku për luftimin e zjarreve, përveç atyre nga Serbia dhe Hungaria që kanë marrëveshje bilaterale, vijnë përmes këtij mekanizmi.

Nga Serbia sot pritet të mbërrijë një helikopter, edhe ky përmes Mekanizmit të BE-së. Me këtë, në këstin e dytë, për momentin numërohen 110 shtetas të huaj që kanë ardhur nga vende të ndryshme me pajisje të ndryshme për të ndihmuar në shuarjen e zjarreve. Në transhën e parë, që u realizua nga 15 deri më 22 korriku, në Maqedoninë e Veriut kishte 50 përfaqësues nga vendet e tjera.

Mundësia për të marrë ndihmë në situata të këtilla të krizave, siç janë zjarret, realizohet përmes marrëveshjeve bilaterale me shtetet ose përmes EU-mekanizmit për mbrojtje civile, kështu që ndonjëherë në opinion përhapet një narrativë e gabuar se disa vende të caktuara ndihmojnë më shumë dhe më shpesh se sa vendet e tjera .

Vendi që e jep ndihmën vendos vetë se në çfarë mënyre do ta japë atë dhe kjo zakonisht varet nga niveli i marrëdhënieve diplomatike, bëjnë të ditur për Meta.mk nga Qendra për Menaxhimin me Kriza. Republika e Maqedonisë së Veriut, nga ana tjetër, si vend nikoqir mundëson akomodim, karburant, ushqim dhe mbështetje. Si pjesë e një marrëveshjeje bilaterale është edhe ndihma nga Hungaria, përmes së cilës 46 persona me 13 automjete erdhën për të ndihmuar në shuarjen e zjarreve.

Një mision për ndihmë mund të zgjasë deri në 7 ditë. Transha e parë përfundoi më 22 korrik, ndërsa pastaj Maqedonia e Veriut sërish e aktivizoi Mekanizmin e BE-së, i cili po vijon.

Infografik: Meta.mk
Infografik: Meta.mk

Çfarë është Mekanizmi i Mbrojtjes Civile i BE-së?

Mekanizmi i Mbrojtjes Civile i BE-së filloi të zbatohet në praktikë në vitin 2001 dhe deri më tani është aktivizuar mbi 700 herë si përgjigje ndaj emergjencave. Mekanizmi është i vendosur në atë mënyrë që i bashkon kapacitetet për reagim të të gjitha vendeve të BE-së dhe 10 vendeve anëtare për veprime të përbashkëta për parandalim dhe gatishmëri ndaj fatkeqësive. Kjo do të thotë se krahas vendeve të BE-së, pjesëmarrëse në mekanizëm janë edhe Shqipëria, Bosnje dhe Hercegovina, Islanda, Moldavia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut,  Norvegjia, Serbia, Turqia dhe Ukraina.

“Fatkeqësitë nuk njohin kufij dhe mund të godasin njëkohësisht një ose më shumë vende pa paralajmërim. Të kesh një përgjigje të përbashkët të koordinuar mirë do të thotë që gjatë një emergjence të kesh një pikë të vetme kontakti. Qasja e përbashkët ndihmon për ta bashkuar ekspertizën dhe kapacitetet e atyre që mund të reagojnë të parët, për ta evituar dyfishimin e përpjekjeve për ndihmë dhe për të siguruar që ndihma i plotëson nevojat e të prekurve”, thuhet në ueb-faqen e Qendrës së BE-s për Koordinimin e Reagimit gjatë Emergjencave (ECHO).

Mekanizmi gjithashtu ndihmon në koordinimin e aktiviteteve për gatishmëri ndaj fatkeqësive dhe kontribuon në shkëmbimin e praktikave më të mira.

“Kjo e lehtëson zhvillimin e vazhdueshëm të standardeve më të larta të përbashkëta qëu mundësojnë ekipeve t’i kuptojnë më mirë qasjet e ndryshme dhe të punojnë në mënyrë të ndërsjellë në rast të ndonjë fatkeqësie,” thuhet në shpjegimin për mënyrën e funksionimit të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së.

Maqedonia u bë me një oficer për lidhje nga BE-ja që do të ndihmojë koordinimin

Mekanizmi i mbrojtjes civile të BE-së u aktivizua këtë javë për zjarret që digjen në të gjithë Evropën Juglindore.

“Në luftën e vazhdueshme kundër zjarreve në pyje ka reaguar menjëherë Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të BE-së. U jam mirënjohës shteteve anëtare që dërguan ndihma – ky është solidaritet i BE-së në praktikë!”, tha Komisioneri për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarçiç.

Pas një kërkese për ndihmë nga vendi, Gjermania dhe Suedia mobilizuan secila nga dy avionë nga flota e shpëtimit të BE-së. Këtë ndihmë e përforcoi edhe Republika Çeke me një helikopter dhe Sllovenia dhe Serbia me nga një helikopter. Krahas kësaj nga Qendra e BE-së për Koordinimin e Reagimit gjatë Emergjencave në vendin tonë u caktua një oficer për lidhje i cili do të ndihmojë koordinimin e reagimit në vend.

“Qendra e BE-së për Koordinimin e Reagimit gjatë Emergjencave (ECHO) vazhdon ta monitorojë nga afër situatën, duke siguruar që ndihma e mëtejshme të mund të sigurohet shpejt nëse është e nevojshme”, tha në një deklaratë dje Drejtori i Përgjithshëm për Mbrojtjen Civile Evropiane dhe Operacionet e Ndihmës Humanitare.

Edhe muajin e kaluar, si përgjigje ndaj kërkesave urgjente të Maqedonisë për ndihmë në luftimin e zjarreve të mëdha në pyje u aktivizua Mekanizmi për Mbrojtjen Civile i BE-së. Vendi pranoi një helikopter nga Serbia, dy helikopterë nga Sllovenia, dy avionë dhe një helikopter nga Turqia dhe një avion nga flota zjarrfikëse RescEU nga Kroacia.

Këtë verë Komisioni i BE-së formoi një flotë avionësh dhe zjarrfikësish nëpër të gjithë Evropën. Këtë verë 556 zjarrfikës nga 12 vende janë vendosur në mënyrë strategjike nëpër vende kyçe në Evropë, si në Francë, Greqi, Portugali dhe Spanjë, të gatshëm për të ndihmuar brigadat lokale të zjarrfikësve. BE ka formuar një flotë të veçantë shpëtimi nga zjarret prej 28 avionësh dhe 4 helikopterësh të stacionuar në 10 shtete anëtare.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka marrë vendim për ekzistimin e gjendjes së krizës për shkak të rritjes së shfaqjes së zjarreve në territorin e vendit.

Kujtojmë se është vënë ndalesë e plotë e lëvizjes në pyje dhe toka pyjore në territorin e menaxhuar nga NP “Pyjet Kombëtare”, i cili do të zgjasë deri në ditën e shfuqizimit të tij, në periudhën nga ora 06:00 deri në orën 20:00.