Spitali dhe shtëpitë nën ujë, Tetova edhe këtë herë e papërgatitur për vërshimet (Video)

Rrugë të bllokuara, vetura me xhama të thyer, bodrume të përmbytura, pemë të shkatërruara, ky është bilanci i reshjeve të djeshme të shiut në Tetovë, të cilat për rreth një orë u intensifikuan edhe me breshër. Përderisa qytetarët deri në orët e vona i kanë pastruar bodrumet e shtëpive të tyre të përmbytura, bordumi i […]

Spitali dhe shtëpitë nën ujë, Tetova edhe këtë herë e papërgatitur për vërshimet (Video)

Rrugë të bllokuara, vetura me xhama të thyer, bodrume të përmbytura, pemë të shkatërruara, ky është bilanci i reshjeve të djeshme të shiut në Tetovë, të cilat për rreth një orë u intensifikuan edhe me breshër. Përderisa qytetarët deri në orët e vona i kanë pastruar bodrumet e shtëpive të tyre të përmbytura, bordumi i Spitalit Klinik vazhdon të jetë i mbushur me ujë dhe kundërmojë erë të keqe. Portalb.mk sjell një pasqyrë gjithëpërfshirëse se çfarë ndodhi në 24 orët e fundit.

Çdo herë, pas reshjeve të shiut, një nga bodrumet që zakonisht përmbytet është ai i shtëpisë te rrethrrotullimi mbi Kazermën e Tetovës. Qytetarët që jetojnë aty shprehen se duhet një herë e përgjithmonë të gjendet zgjidhje për këtë problem.

“Kemi dëm të madh, ndodhi ajo që ndodhi, punë e zotit askush nuk mund ta ndalojë atë, por disi duhet të zgjidhet puna, muri i kazermës u bë si një bllokadë, uji erdhi i gjithi këndej nga ne, pra kur bie pak shi kemi përmbytje por me te tilla shira do te thotë që mbushet deri në maje, e shihni vetë, dëmet janë të mëdha, nuk duam para vetëm të zgjidhet kjo çështje disi”, tha qytetarja që jeton aty.

Në të njejtin lokacion, kishte dhe shtëpi tjetër që uji i kishte hyrë në bodrum. Qytetarët që jetojnë aty theksuan se kanalizimi e ka nxjerrë ujin në sipërfaqe.

“Gjithë natën kemi pastruar, kanalizimi e ka nxjerrë ujin, erë e keqe, e pastruam gjithë natën”, tha qytetarja.

Njëkohësisht, përmbytje ka edhe në Spitalin e Tetovës. Bodrumi në objektin e Kirurgjisë është në gjendje mjaft të keqe. Portalb.mk vizitoi këtë lokacion, aty kishte shumë ujë dhe erë të keqe.

Ekipet nga Ndërmarrja Publike Komunale “Tetova” Tetovë dhe Njësia e Zjarrfikësve Tetovë janë duke punuar në terren dhe me ndihmën e pompave nxjerrin ujin nga objektet e përmbytura.

Kryetarja e Qendrës për Menaxhim me Kriza Tetovë, Arlinda Muharemi ka raportuar se kreu i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Bekim Maksuti ka formuar ekip për t’i ndihmuar zonat e prekura në Tetovë dhe rrethinë, të pajisur me pompa dhe pajisje tjera dhe do të përfshihen në ndihmë në kohën më të shkurtër të mundshme.

Komuna e Tetovës ka paralajmëruar se brenda ditës do të dalin me informacion në lidhje me gjendjen e krijuar në terren me vërshimet.

Tetova dhe rrethina dje në “luftë” me reshjet

Pasditen e djeshme, pas orës 16:00 në Tetovë dhe rrethinë pati reshje të shiut, shoqëruar me breshër, bubullima dhe vetëtima të cilat u intensifikuan rreth një orë.

Për kaq kohë u shkaktuan dëme të ndryshme, duke filluar që nga bllokimi i rrugëve dhe vërshimi i dhjetëra bodrumeve të shtëpive dhe objekteve tjera.

Era e fortë dhe reshjet kanë shkaktuar dëme edhe në kulturat bujqësore, por edhe në zonat urbane si nëpër çati, tenda, automjete he të tjera.

Për disa orë, me kërkesë të komandantit të Zjarrfikësve të Tetovës, Avni Ahmetit u ndal rryma elektrike për gjithë Tetovën, për shkak të ndonjë fatkeqësie nga rryma për shkak të përmbytjeve.

Ndër rrugët kryesore të bllokuara ishte edhe nënkalimi në hyrje të Tetovës nga Shkupi. Si zakonisht kur ka reshje, u bllokua edhe nënkalimi në lagjen “Dardania”. Dëme pati edhe në Spitalin e Tetovës si dhe nëpër lagje.

Rrugë të përmbytura pati në fshatin Jegunovcë, Falishtë, Siriçinë, rruga “Bllagoja Toska”, rruga 180, rruga 172, rruga 109, rruga 171, rruga “Ilindenska”,

Qendra për Menaxhim me Kriza vetëm dje ka marrë mbi 200 thirrje në numrin 122 për dëmet që kanë pësuar qytetarët.

Përveç se në zonën e Tetovës, situata e rëndë u paraqit edhe në zonën e Zhelinës ku pati edhe rrëshqitje të dheut në disa pjesë.

Gjithashtu në zonën e Komunës së Jegunocit në fshatin Siriçinë pati nj familje të bllokuar, ku intervenuan zjarrfikësit e Tetovës.

Një incident ka ndodhur nga një shtëpi e përmbytur në Tetovë, ku pronari ka rrëshqitur në shkallë duke zbritur shkallët për në bodrum dhe ka pësuar lëndime të lehta në kokë dhe gjakderdhje. Nga ana e QMK-së është njoftuar Ambulanca, e cila ka ndërhyrë dhe të lënduarit i është dhënë ndihma mjekësore.

Nga Qendra për Menaxhim me Kriza njoftuan se dëmet do të vlerësohen në vijim.

Një orë reshje, nxorën në sipërfaqe shumë parregullsi

Portalb.mk para një muaji, duke u bazuar në atë se ndryshimet klimatike dhe kërcënimet nga reshjet e dendura të shiut edhe vërshimet tani më janë realitet, u interesua nëse Tetova është e gatshme të përballet me to, si një rajon që disa herë e ka pësuar nga reshjet. Komuna e Tetovës theksoi se janë të përkushtuar në këtë drejtim, por nuk dërguan ndonjë raport se çfarë bëjnë konkretisht. Alarmuan edhe nga shoqëria civile.

Defektet në kanalizimin fekal dhe atë atmosferik, vjetërsia e tyre, mosmirëmbajtja, mospastrimi konstant dhe hedhja e mbeturinave në to nga ana e qytetarëve janë disa nga arsyet kryesore që kur ka reshje në Tetovë, ujërat të dalin nga to në sipërfaqe.

LEXO: Priten reshje në Tetovë, sa është qyteti i përgatitur për menaxhim me krizë të vërshimit? Tetova dhe vërshimet, histori të hidhura thuaj se çdo vit

Frika nga vërshimet dhe fatkeqësitë natyrore është e pranishme gjithnjë në Tetovë dhe rrethinë. Ky rajon disa herë ka qenë dëshmitar i vërshimeve dhe dëmeve nga reshjet e shiut.

Së fundmi ishte verën e kaluar kur reshjet e shiut bllokuan disa rrugë dhe nënkalime. Ndërsa fatkeqësia më e madhe ishte në vërshimet e vitit 2015 morën me vete katër jetë njerëzish në mesin e të cilëve edhe të një fëmije.

LEXO: Rajoni i Tetovës i kapluar nga vërshimet (FOTO) Ndryshimet klimatike, realitet dhe kërcënim

Në korrik dhe gusht mund të ketë rrezik, kështu pati paralajmëruar në muajin prill meteorologu Vllado Spiridonov.

“Për atë se si do të jetë vera, ka vlerësime të ndryshme. Modelet dhe vlerësimet atmosferike tregojnë për një verë më të ngrohtë, ndërsa në korrik dhe gusht mund të jetë rrezik sepse mund të ketë stuhi më intensive me bubullima, të cilat mund të jenë mjaft shkatërruese. Kjo është rezultat i ndryshimeve klimatike”, theksoi Spiridonov.

LEXO: Dallimet e temperaturave janë shokuese për njerëzit, këtë verë në RMV mund të ketë stuhi me bubullima

Një raport i Fondit Monetar Ndërkombëtar i publikuar më 26 janar 2024 ka shfaqur të dhëna shqetësuese për Maqedoninë e Veriut. Parashikimet janë të frikshme. Sipas raportit, RMV-ja është e ekspozuar ndaj ndryshimeve klimatike dhe rreziqeve natyrore që paraqesin rreziqe thelbësore për sigurinë publike dhe infrastrukturën publike. Përmbytjet dhe zjarret, parashikohen të bëhen më të shpeshta dhe ekstreme pasi ndryshimet klimatike ndryshojnë temperaturat dhe modelet klimatike.

LEXO: FMN: Një herë në 10 vite RMV-ja mund të përballet me përmbytje potencialisht kërcënuese për jetën e njerëzve

Në lidhje me këtë raport, Qendra për Menaxhim me Kriza për Portalb.mk ka thënë se vendi po bën vlerësim dhe miratim të kërcënimit të sigurisë së Republikës nga të gjitha rreziqet dhe dëmet.

LEXO: Përmbytjet dhe zjarret do të shpeshtohen, Maqedonia po përgatit dokument për organizimin e menaxhimit të krizave