U dënua me mbi 6 vite burg, Ambasada e SHBA-së në Rusi kërkon lirimin e gazetares Alsu Kurmasheva

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Moskë bëri thirrje për lirimin e gazetares së Radios Evropa e Lirë, Alsu Kurmasheva, e cila ka shtetësi të dyfishtë – amerikane dhe ruse. Kurmasheva u dënua me gjashtë vjet e gjysmë burg nga një gjykatë ruse. Një ditë pasi u publikua lajmi për dënimin e saj, Ambasada amerikane [...]Read More...

U dënua me mbi 6 vite burg, Ambasada e SHBA-së në Rusi kërkon lirimin e gazetares Alsu Kurmasheva

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Moskë bëri thirrje për lirimin e gazetares së Radios Evropa e Lirë, Alsu Kurmasheva, e cila ka shtetësi të dyfishtë – amerikane dhe ruse.

Kurmasheva u dënua me gjashtë vjet e gjysmë burg nga një gjykatë ruse.

Një ditë pasi u publikua lajmi për dënimin e saj, Ambasada amerikane tha se kjo është “një ditë e errët për gazetarinë në Rusi”.

“Ne, sërish, u bëjmë thirrje autoriteteve ruse që të lirojnë Alsunë dhe gazetarët e tjerë të burgosur”, tha Ambasada amerikane në një postim në mediat sociale më 23 korrik.

“Shtypja e zërave kundërshtues i dëmton të gjithë rusët. Një shtyp i lirë dhe i pavarur është në zemër të demokracisë”, shtoi Ambasada.

Presidenti i Radios Evropa e Lirë, Stephen Capus, e cilësoi gjyqin dhe dënimin e Kurmashevës – të raportuar fillimisht nga AP-ja – si “tallje me drejtësinë” dhe shtoi se “i vetmi vendim i drejtë është që Alsuja të lirohet menjëherë nga robëruesit e saj rusë”.

“Është koha, më shumë se kurrë, që kjo qytetare amerikane, kolegia jonë e dashur, të ribashkohet me familjen e saj të dashur”, tha Capus.

Kurmasheva, 47 vjeçe, nënë e dy fëmijëve, u arrestua në Kazan në tetor të vitit të kaluar dhe u akuzua për mosregjistrim si “agjente e huaj”.

Regjistrimin e tillë e kërkon një ligj kontrovers rus, i cili ka në shënjestër gazetarë, aktivistë të shoqërisë civile dhe të tjerë.

Ajo u akuzua, gjithashtu, për përhapje të informacioneve të rreme për ushtrinë ruse dhe përballet me dhjetë vjet burg nëse shpallet fajtore.

Radio Evropa e Lirë dhe Qeveria e SHBA-së thonë se akuzat janë hakmarrje për punën e saj si gazetare.

“Ajo është një gazetare e përkushtuar, që është në shënjestër të autoriteteve ruse, për shkak të përkushtimit të saj të pakompromis për ta thënë të vërtetën dhe për të raportuar në mënyrë parimore”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, pas lajmit për dënimin e saj.

“Gazetaria nuk është krim, siç na keni dëgjuar të themi në disa raste, dhe ne vazhdojmë ta bëjmë shumë të qartë se ajo duhet të lirohet”, shtoi ai.

Kremlini nuk e komentoi dënimin e Kurmashevës.

Në të kaluarën, ai ka thënë se nuk po e ndjek nga afër rastin dhe se nuk do të komentojë, pasi sistemi rus i drejtësisë duhet të lejohet ta bëjë punën e vet. /rel