Nisin hetimet ndaj UD drejtorit të BKS-së Shefik Gerbovci dhe Këshillit Administrativ, dyshimet për kurdisje të konkursit

Byroja Kosovare e Sigurimeve tashmë e ka drejtorin e ri ekzekutiv. Ndonëse për përzgjedhjen e tij, nuk ka pasur asnjë konkurs të shpallur publik. IndeksOnline, mëson se Shefik Gerbovci tashmë është zgjedhur drejtor i ri i BKS-së në konkursin fantom. Për dyshimet e keqpërdorimeve për këtë punë, nisjen e hetimeve tashmë e ka autorizuar edhe […]

Nisin hetimet ndaj UD drejtorit të BKS-së Shefik Gerbovci dhe Këshillit Administrativ, dyshimet për kurdisje të konkursit

Byroja Kosovare e Sigurimeve tashmë e ka drejtorin e ri ekzekutiv. Ndonëse për përzgjedhjen e tij, nuk ka pasur asnjë konkurs të shpallur publik. IndeksOnline, mëson se Shefik Gerbovci tashmë është zgjedhur drejtor i ri i BKS-së në konkursin fantom. Për dyshimet e keqpërdorimeve për këtë punë, nisjen e hetimeve tashmë e ka autorizuar edhe Prokuroria e Shtetit.

Burime të IndeksOnline, brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se tashmë është autorizuar policia, saktësisht Krimet Ekonomike për të nisur me mbledhjen e informacioneve për të parë rrjedhën e konkursit.

Kujtojmë se për zgjedhjen e  Gerbovcit si drejtor i BKS-së ka ekzistuar bashkëpunimi më Këshillin Administrativ. Sipas informatave brenda BKS-së, konkursi jo-publik është koordinuar në atë mënyrë që Gerbovci të dalë i preferuar. E në Këshillin Administrativ të BKS-së, është anëtarë edhe vet Gerbovci.

E IndeksOnline, ditë më parë ka raportuar se si Gerbovci, sa ishte në krye të ushtruesit të detyrës së drejtorit të Byrosë Kosovare të Sigurimeve, nuk e ka respektuar rekomandimin e BQK-së për shpalljen e konkursit publik për drejtor të BKS-së.

Edhe pse i njëjti tashmë ka marrë rekomandim nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës për të shpallur konkurs publik për drejtor të Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS), duket se nuk e ka përfillur një gjë të tillë.

IndeksOnline ka dërguar pyetje ditë më parë në adresë të Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS), për këtë çështje, por deri në momentin e publikimit të shkrimit nuk ka marrë përgjigje.

Kujtojmë se partia në pushtet (LVV), gjatë tërë kohës sa ishte në opozitë ka pasur kritika se në institucione të ndryshme janë emëruar dhe zgjedhur persona të caktuar pa konkurse publike, në këtë rast edhe drejtorit të BKS-së.