Përplasja Kosovë -Serbi për vendin e kapjes së policëve, Rama: KFOR duket që s’do dalë me konkluza publike

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili është duke bërë përpjekje për të bindur kryeministrin Kurti që të pranojë kërkesat ndërkombëtare për de-eskalim, gjatë ditës së djeshme ka reaguar lidhur me rastin e 3 policëve të Kosovës që u rrëmbyen nga forcat speciale serbe. Ministria e Brendshme e Kosovës ka konfirmuar se ata janë rrëmbyer […]

Përplasja Kosovë -Serbi për vendin e kapjes së policëve, Rama: KFOR duket që s’do dalë me konkluza publike

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili është duke bërë përpjekje për të bindur kryeministrin Kurti që të pranojë kërkesat ndërkombëtare për de-eskalim, gjatë ditës së djeshme ka reaguar lidhur me rastin e 3 policëve të Kosovës që u rrëmbyen nga forcat speciale serbe.

Ministria e Brendshme e Kosovës ka konfirmuar se ata janë rrëmbyer brenda territorit të Kosovës.

Megjithatë kreu i ekzekutivit të Shqipërisë, Edi Rama, në reagimin e tij të djeshëm ka thënë se do ta pres fjalën e fundit të KFOR-it për të dhënë një qëndrim, meqë Shqipëria është edhe pjesë e NATO-s, shkruan Express.

“Kush thotë se po heshtim apo kush kërkon t’i hedhim benzinë zjarrit duke ngritur akuza ndërkohë që KFOR-i po investigon rastin, nuk do t’ia dijë as për Kosovën e as për Shqipërinë, po vetëm për luftën e stërhumbur politike me mua apo për politikën e luftës imagjinare me Serbinë. Prandaj më duhet edhe njëherë t’u kujtoj se Shqipëria është pjesë e bashkësisë euroatlantike dhe ka fiks të njëjtën linjë të kësaj bashkësie, e cila bombardoi Serbinë dhe krijoi shtetin e Kosovës! Ne presim fjalën e KFOR-it që po heton rastin dhe i qëndrojmë de-eskalimit imediat!”, kishte shkruar Rama dje.

Por, duket se KFOR-i duket se nuk do të nxjerr ndonjë konkluzion final lidhur me vendndodhjen e policëve të Kosovës. Kështu ka shkruar sot kryeministri shqiptar, Edi Rama. Ai ka theksuar se pavarësisht pretendimeve për vendndodhjen, tre policët duhet të kthehen në shtëpi dhe ka shtuar se qysh dje është fokusuar 100 për lirimin e tyre.

“Mesa duket KFOR-i nuk do të dalë me konkluzione publike për vendndodhjen e tre policëve të Kosovës. Pavarësisht pretendimeve të ndryshme për vendndodhjen, ata duhet të kthehen sa më parë në shtëpi! Qysh dje ne jemi 100% të fokusuar tek lirimi i tyre!”, ka shkruar Rama.

Ai tutje ka thënë se s’ka asnjë ndërlidhje mes rastit të tre policëve dhe arrestimit të një prej drejtuesve të grupit kriminal “mbrojtja civile”.

Në fund thotë se de-eskalimi mbetet prioritet i prioriteteve dhe pikat e caktuara nga BE duhet përmbushen sa më shpejt.

“Nuk ka asnjë paralele mes tre policëve dhe personit me precedentë kriminalë të arrestuar nga policia e Kosovës në Veri! De-eskalimi mbetet prioriteti i prioriteteve dhe pikat e vendosura nga bashkësia euro-atlantike duhen përmbushur një orë e më pare”, ka përfunduar Edi Rama.

Institucionet e Republikës së Kosovë kanë konfirmuar se tre policët janë rrëmbyer thellë brenda territorit të Kosovës, derisa Serbia pretendon se ata ishin futur disa kilometra në territorin e Serbisë.