Punimet duhej të fillonin këtë vit, por s’ka as marrëveshje për investimin më të madh gjerman në RMV të elektranave me turbinë ere

Edhe pse në vitin 2021 Maqedonia e Veriut e shpalli projektin e saj të energjisë së erës prej 415 MW, Virovi, një investim strategjik me kompaninë gjermane WPD, megjithatë, partneriteti ende nuk është zyrtarizuar me ndonjë ligj të veçantë, e as nuk është nënshkruar ndonjë kontratë. Qeveria ende nuk ka kthyer përgjigje për pyetjet e […]

Punimet duhej të fillonin këtë vit, por s’ka as marrëveshje për investimin më të madh gjerman në RMV të elektranave me turbinë ere

Edhe pse në vitin 2021 Maqedonia e Veriut e shpalli projektin e saj të energjisë së erës prej 415 MW, Virovi, një investim strategjik me kompaninë gjermane WPD, megjithatë, partneriteti ende nuk është zyrtarizuar me ndonjë ligj të veçantë, e as nuk është nënshkruar ndonjë kontratë. Qeveria ende nuk ka kthyer përgjigje për pyetjet e Portalb.mk, e as Ambasada Gjermane në Maqedoninë e Veriut, ish-shefja e së cilës, Anke Holstein, atëkohë gjatë njoftimit të investimit, tha se ky projekt do të mbështesë tranzicionin energjetik të vendit dhe do të sigurojë energji të qasshme dhe të pastër.

Punimet për këtë projekt duhej të fillonin këtë vit, 2024, por që mbi dy vite e gjysmë më vonë, nuk është dëgjuar asgjë për këtë projekt që u shpall me aq eufori.

Portalb.mk, ka kërkuar informacion nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe Ambasada e Gjermanisë në vend, se pse nuk kanë nisur ende ndërtimet, apo çfarë ka ndodhur me këtë projekt, por deri në këto momente nuk kemi përgjigje.

Në mungesë të informacioneve nga institucionet e vendit, redaksia jonë, “gugëlloi” pak për të gjetur atë që nuk arritëm ta marrim nga institucionet përkatëse.

Nga një vështrim i përgjithshëm mbi situatën energjetike në Maqedoninë e Veriut të ueb-faqes International Trade Administration i datës 27.05.2024, zbuluam se nuk ka as edhe kontratë përfundimtare mbi këtë projekt që u shpallë atëkohë si “strategjik”.

“EMV zotëron dhe operon parkun e erës 36,5 MW të Maqedonisë së Veriut në pjesën jugore të vendit, ndërsa një kompani private përfundoi ndërtimin e një parku tjetër me erë 36 MW. EMV planifikon të rrisë kapacitetin e ekzistuesit me 14 MW dhe të investojë në 50 MW të tjera në të njëjtën zonë. Qeveria njoftoi gjithashtu një projekt parku me erë 415 MW me kompaninë gjermane WPD Group si një “investim strategjik” në verilindje të vendit, por një kontratë përfundimtare nuk është nënshkruar”, thuhet në uebfaqen ITA.

Nga ana tjetër, uebfaqja Balkan Green Energy News, në një artikull të publikuar më datë 26 mars, shkruan se partneriteti ende nuk është zyrtarizuar me ndonjë zgjidhje të veçantë ligjore.

“E themeluar në vitin 1996, WPD zhvillon, financon, ndërton dhe operon parqe me erë dhe parqe diellore në 31 vende. Maqedonia e Veriut e shpalli projektin e saj të energjisë së erës prej 415 MW, Virovi, një investim strategjik në vitin 2021. Megjithatë, partneriteti ende nuk është zyrtarizuar me një ligj të veçantë”, thuhet në artikull.

Çfarë u premtua?

Në tetor të vitit 2021, Qeveria e kryesuar nga Zoran Zaevi, njoftoi se kompania gjermane WPD, do të ndërtojë një elektranë me turbinë ere prej 415 megavat në drejtimin Kumanovë – Nagoriçani i Vjetër– Kriva Pallankë në vlerë prej rreth 500 milion euro. Ky investim gjerman u konsiderua më i madhi në Maqedoninë e Veriut dhe investimi i parë më i madh në segmentin e energjisë së gjelbër të vendit që nga pavarësia e tij në vitin 1991.

Pasi të përfundojë e gjitha, u tha se do të ketë kapacitet për të gjeneruar më shumë se 1.3GWh energji të ripërtëritshme në vit, duke reduktuar rreth 310.000 ton emetime të karbonit.

Parku i erës “Virovi” kishte për qëllim të ndihmojë Maqedoninë e Veriut që të zhvendoset drejt burimeve të energjisë së ripërtëritshme për përmbushjen e kërkesave të saj për energji elektrike.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut gjithashtu e shpalli “Virovin” si një “projekt strategjik” për të ndihmuar përpjekjet e vendit për tranzicionin energjetik.

“Në zonë në drejtim nga Kumanova drejt Kriva Pallankës do të vendosën 69 turbina të reja të erës që është katër herë më shumë nga 16 e deri më tanishmet që i shohin në kufirin e Greqisë, dhe më e rëndësishmja turbinat e erës të cilat do të krijojnë mbi 400 megavat rrymë nga era në vend. Në skenarin e gjelbër, teknologjitë me rritjen më të shpejtë janë elektranat fotovoltaike dhe të erës dhe strategjia jonë parashikon rreth 1.500 megavat elektrana fotovoltaike dhe rreth 700 megavat elekentra të erës. Nuk ka dyshim, investimi më i madh në historinë e investimeve në vend është dëshmi se skenari i gjelbër është i mundur”, thanë atë kohë nga Qeveria.

“Virovi” u planifikua të zhvillohet në tre faza në tre lokacione të ndryshme në të gjithë vendin.

Punimet e ndërtimit ishin planifikuar të fillojnë në vitin 2024 dhe të përfundojnë brenda gjashtë viteve.

Ish- ambasadorja gjermane në Maqedoni, Anke Holstein theksoi se bashkëpunimi mes Maqedonisë së Veriut dhe Gjermanisë po rritet me këtë projekt që do të mbështesë tranzicionin energjetik të vendit dhe do të sigurojë energji të qasshme dhe të pastër.

“Qasja e tillë lejon tranzicion të gjelbër të sektorit energjetik me të dhënat të cilat janë të pranueshme për konsumatorët e vendit. Investimet si ky i WPD-së, në mënyrë të konsiderueshme e rrisin pjesëmarrjen e burimeve të ripërtërishme në energjetik, përmirësojë konkurrencën e furnizuesit publik EMV në rajon dhe ulin ndotjen që është shumë e rëndësishme për qytetarët dhe gjithë të tjerët,” tha atë kohe Holstein.

Kompania WPD punon në 28 vende të botës me mbi 5000 megavat të instaluar në burime të ripërtërishme të energjisë.

Elektrana e erës duhet të prodhojë mjaft energji të pastër për furnizim me energji pothuajse 290.000 amvisërive.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev tha se gjithsej 3.1 miliardë euro në vend do të investohen në energji deri në vitin 2027.

Investim i ri në horizont

Tani, Qeveria e re e kryesuar nga Hristijan Mickoski, shpalli një investim tjetër po aq të madh, sa ai i premtuar nga Qeveria e Zoran Zaevit. Më 25 qershor 2024, Alcazar Energy Partners, investitori kryesor në burimet e rinovueshme të energjisë në tregjet në zhvillim, njoftoi fillimin e investimit të parkut më të madh të erës në Maqedoninë e Veriut me kapacitet deri në 400 MW.

Është planifikuar që investimi të krijojë 630 vende pune dhe kur të jetë plotësisht funksional, projekti do të prodhojë energji elektrike të pastër për më shumë se 100,000 familje dhe do të reduktojë emetimet e CO2 me 670,000 ton në vit. Me më shumë se 50 turbina me erë, projekti do të kursejë 1.1 milion metra kub ujë në vit.

Për kryeministrin e vendit Hristijan Mickoskin, ky projekt është i rëndësishmi për RMV-në dhe për mbarë rajonin.

“Përpara nesh është investimi më i madh në burimet e rinovueshme të energjisë që kemi pasur ndonjëherë. Parku me erë në Maqedoninë juglindore do të rrisë për pesë herë potencialin e Maqedonisë në fushën e burimeve të ripërtëritshme të energjisë”, tha Mickoski.

Zona ku duhet të ndërtohet parku me erë është në mes të tri komunave, Karbincit, Radovishit dhe Shtipit.

LEXO: Alcazar Energy Partners njoftoi investim prej 500 milionë dollarë për parkun më të madh të erës në RMV