Bislimi takon familjarët e të zhdukurve: Kosova s’do të ndalet së kërkuari drejtësi, Serbia të mbahet përgjegjëse për krimet e saj
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti sot në takim përfaqësues të Këshillit Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës. Përgjatë bisedës, fillimisht u përshëndet bashkërisht miratimi i rezolutës në muajin maj në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për njohjen e gjenocidit […]
![Bislimi takon familjarët e të zhdukurve: Kosova s’do të ndalet së kërkuari drejtësi, Serbia të mbahet përgjegjëse për krimet e saj](https://orainfo.net/wp-content/uploads/2024/06/654300-bislimi-takon-familjaret-e-te-zhdukurve-kosova-sdo-te-ndalet-se-kerkuari-drejtesi-serbia-te-mbahet-pergjegjese-per-krimet-e-saj.jpeg)
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti sot në takim përfaqësues të Këshillit Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës.
Përgjatë bisedës, fillimisht u përshëndet bashkërisht miratimi i rezolutës në muajin maj në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për njohjen e gjenocidit serb në Srebrenicë dhe shënimin e 11 korrikut si “Ditë Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit të Srebrenicës”. E njëjta dënon mohimin e gjenocidit dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës.
U theksua rëndësia e ndërkombëtarizimit edhe të gjenocidit të kryer nga Serbia në Kosovë, për të cilën organizatat mund të mbështeten plotësisht në përkrahjen e Qeverisë, si dhe u nënvizua domosdoshmëria për zbardhjen e krimeve, masakrave dhe planeve të strukturuara të saj për spastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës e vënia para drejtësisë e përgjegjësve të krimeve.
Republika e Kosovës vijon në përpjekjet e saj të pareshtura institucionale në këtë drejtim, por i cili fatkeqësisht përballet me mosgatishmëri, mohim dhe hezitim nga autoritetet serbe për zbardhjen e tyre. Serbia, tashmë e njohur ndërkombëtarisht si shtet gjenocidal, duhet të përballet me të kaluarën dhe të mbahet përgjegjëse për gjenocidin në Kosovë.
Pjesëmarrës në këtë takim ishte dhe drejtuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti si dhe Kushtrim Gara.