Dialogu Kosovë-Serbi, rikthimi i mundshëm i Trump dhe Rusia mund t’i shkaktojnë kokëçarje Kallasit

Politikania estoneze, Kaja Kallas, do të jetë shefja e re e diplomacisë së Bashkimit Evropian dhe njëherit drejtuese e negociatave në mes të Kosovës dhe Serbisë. Njohësit e rajonit dhe të procesit të negociatave mes dy vendeve parashikojnë vështirësi rreth punës së Kallas dhe thonë se një emisar special do të jetë i nevojshëm. Johanna […]

Dialogu Kosovë-Serbi, rikthimi i mundshëm i Trump dhe Rusia mund t’i shkaktojnë kokëçarje Kallasit

Politikania estoneze, Kaja Kallas, do të jetë shefja e re e diplomacisë së Bashkimit Evropian dhe njëherit drejtuese e negociatave në mes të Kosovës dhe Serbisë. Njohësit e rajonit dhe të procesit të negociatave mes dy vendeve parashikojnë vështirësi rreth punës së Kallas dhe thonë se një emisar special do të jetë i nevojshëm.

Johanna Diemel, një analiste e pavarur dhe njohëse për Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Juglindore, ka deklaruar për EWB se Kallas vjen nga një shtet që e njeh pavarësinë e Kosovës dhe se për dallim nga Borell, Kallas ka bërë thirrje edhe për pesëshen e BE-së që s’e njohin Kosovën.

Deimel konfliktin në mes Rusisë dhe Ukrainës e sheh si diçka që do ta pengojë Kallasin dhe fokusimin e kësaj të fundit në procesin e negociatave Kosovë-Serbi.

“Kaja Kallas është politikania e tretë femër që mban postin e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë. Një ndryshim i parë i madh me paraardhësin e saj Josep Borell është se ajo vjen nga një shtet që e njeh Kosovën dhe së dyti se ajo i ka bërë thirrje 5-shes së BE-së që nuk e njeh Kosovën. Ajo është një kritike e zëshme e Rusisë dhe kjo shton edhe një dimension të ri që kërkon shumë këmbëngulje dhe diplomaci për punën e saj”, ka thënë Deimel.

Analistja tutje thotë se punët mund të vështirësohen me rikthimin e mundshëm të Trump në Shtëpinë e Bardhë meqë bashkë me të thotë se do të kthehet shkëmbimi i territoreve në axhendë.

“Nëse më pas e kthejmë vëmendjen tonë tek Uashingtoni, ku fitorja e zgjedhjeve të Donald Trump po bëhet gjithnjë e më e mundshme, Serbia dhe Prishtina do të gjenden gjithashtu në një mjedis të ri gjeopolitik dhe të sigurisë. Për Kallas, kjo mund të nënkuptojë edhe që shkëmbimi i territoreve të kthehet në axhendë”, thotë ajo.

Deimel nënvizon se Dialogu aktualisht është bllokuar dhe ka nevojë për një qasje të re.

“Mendoj se edhe një herë do të emërojë një Përfaqësues Special për Dialog për këtë qëllim. Do të jetë interesante të shihet se kë (dhe nga cili vend!) do të emërojë për këtë detyrë”, përfundon Johanna Deimel.

Igor Novakoviq nga “CIG” thotë se në focus të Kallas do të jetë marrëdhënia e BE-së me Rusinë dhe “me shumë gjasë jo dialogu Kosovë-Serbi”.

Megjithatë ai thotë se mund të ketë ndërrim të fokusit të Kallas nëse vlerësohet se situata mes Kosovës dhe Serbisë mund të përkeqësojë rajonin.

“Duke pasur parasysh se, sipas të gjitha gjasave, BE-ja aktualisht nuk mund të pajtohet për pasardhësin e Miroslav Lajçakut, është e mundur që të ketë një ndryshim të fokusit, nëse vlerësohet se në aspektin e sigurisë, raporti ndërmjet Serbisë dhe Kosovës mund të përkeqësojë situatën në rajon. Në çdo rast, mendoj se duhet një Përfaqësues i ri Special, sepse ka edhe një pjesë teknike të negociatave. Në të njëjtën kohë, Kallas ndoshta do të jetë ndërmjetësues në bisedimet Beograd-Prishtinë në nivelin më të lartë politik, siç ishte Borell”, thekson Igor Novakoviq./Express/