Ku mbeti premtimi për Policinë e Kosovës? S’ka sigurime për mbrojtësit e sigurisë së vendit

Edhe pas njëzet e gjashtë viteve nga themelimi i Policisë së Kosovës, pjesëtarët e saj akoma vazhdojnë të punojnë për sigurinë e vendit, por pa sigurim shëndetësore për ta. Ndonëse ka pasur shumë premtime që të bëhet sigurimi shëndetësor për ta, një gjë e tillë akoma nuk ka ndodhur deri më tani, shkruan FrontOnline. Shumë policë […]

Ku mbeti premtimi për Policinë e Kosovës? S’ka sigurime për mbrojtësit e sigurisë së vendit

Edhe pas njëzet e gjashtë viteve nga themelimi i Policisë së Kosovës, pjesëtarët e saj akoma vazhdojnë të punojnë për sigurinë e vendit, por pa sigurim shëndetësore për ta. Ndonëse ka pasur shumë premtime që të bëhet sigurimi shëndetësor për ta, një gjë e tillë akoma nuk ka ndodhur deri më tani, shkruan FrontOnline.

Shumë policë të Kosovës janë lënduar dhe sulmuar në vendin e tyre të punës e shumë prej tyre kanë rrezikuar edhe jetën në intervenime dhe aksione të ndryshme që janë zhvilluar gjithë këto vite prej kur është themeluar Policia e Kosovës.

Ka edhe një numër i policëve që janë vrarë në krye të detyrës siç është rasti me Enver Zymberin i vrarë me 2011 gjatë një  aksioni në Veri të vendit, si dhe Afrim Bunjaku i vrarë në shtator të  vitit 2023 gjatë sulmit ku u përballë me terroristët në Banjskë të Mitrovicës.

Por, përveç tyre, janë po ashtu edhe 21 policë tjerë që kanë vdekur, vrarë, ose kanë ndërruar jetë gjatë kryerjes së detyrës së tyre zyrtare prej polici.

 

Deputeti i GUXO: Nuk besoj se ka sigurime shëndetësore për Policinë e Kosovës këtë mandat

Deputeti i Grupit Parlamentar të VV-së, Ekrem Mustafa, për FrontOnline, thotë se ligji për sigurime shëndetësore për Policinë e Kosovës, është kthyer që nga fillimi.

‘’Kjo është kthyer edhe njëherë nga fillimi, sepse çdo qeveri është marr me sigurime, por defakto nuk kanë bërë asgjë me sigurimet. Kanë bërë diçka, por nuk e kanë bërë të dëshiruarën’’ thotë ai.

Deputeti Mustafa, thotë se sa i përket sigurimeve shëndetësore për Policinë e Kosovës, ato janë nëproces, por se nuk e di se kur mund të mbarojnë.

‘’Janë në proces e sipër, janë duke u draftuar, nuk e di deri ku kanë mbërri, kam pasur informacione që janë formuar grupet, por nuk e di kur do të përfundojnë’’ deklaron ai.

Deputeti i shumicës parlamentare, megjithatë shprehet skeptik se sigurimi shëndetësor për Policinë e Kosovës, mund të bëhet brenda këtij mandate qeverisës.

 ‘’Unë kur e kam marr mandatin, kam besu se mundemi me përfundu brenda këtij mandati, por nuk besoj se mundet me përfundu brenda këtij mandati’’, thotë ai për FrontOnline.

 

Qalaj: S’ka asgjë për sigurime shëndetësore për Policinë e Kosovës, premtimi i VV-së i parelizuar

Deputeti i PDK-së dhe ish-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, thotë për FrontOnline, se gjitha premtimet që Vetëvendosje i ka dhënë asnjëra nga to nuk është realizuar, e as ajo për sigurime shëndetësore për Policinë e Kosovës.

‘’Gjitha premtimet që i ka dhënë Qeveria Kurti, jo vetëm për institucionet e sigurisë por edhe për të tjerat, asnjëra nuk është realizua’’ thotë ai.

Qalaj, tregon se çështja e sigurimeve shëndetësore nuk është diskutuar në komisionin ku ai është anëtar, pra në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, e madje sipas informacioneve të tij, kjo gjë nuk është diskutuar as në Kuvend, Qeveri apo në Ministrinë e Brendshme.

‘’Sa i përket Policisë, nuk ka asnjë diskutim, as në komision e sa kam unë njohuri as në Kuvend e as në Qeveris e as në ministri. Ju e dini se janë disa kërkesa nga Sindikata e Policisë së Kosovës ndaj Qeverisë e ku përfshihet edhe sigurimi shëndetësor, mirë po me sa kam unë informata nuk ka asgjë për këtë’’ deklaron ai.

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, thotë se janë duke kërkuar vazhdimisht që të plotësohen kërkesat e tyre, por që një gjë të tillë deputetët e pozitës po e injorojnë.

‘’Ne jemi duke kërkuar vazhdimisht që të plotësohen kërkesat e policisë, por deputetet e pozitës po tregojnë injorim dhe nervozizëm’’ thotë ai.

 

Deputetja e AAK-së: Qeveria nuk po bën asgjë për sigurimet shëndësore të Policisë së Kosovës

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, për FrontOnline thotë se sigurimi për Policinë e Kosovës është determinuese, por se sipas saj Qeveria Kurti një gjë të tillë nuk e ka bërë akoma.

‘’Jo në fakt nuk ka. Sigurimin shëndetësor të Policisë ishte dashur të siguroj Ministria e Shëndetësisë. Është determinuese që Policia të ketë sigurim shëndetësore, por kjo Qeveri çdo vit ka thënë se do e sjellin në Kuvend këtë ligj, por nuk e kanë sjellë’’ thotë ajo.

Kadrijaj, megjithatë thotë se mund të ketë diçka ‘’kozmetike’’ rreth kësaj çështje.

‘’Mundën me bërë diçka kozmetike, sepse kjo Qeveri e ka përformancën zero’’ deklaron ajo.

Deputetja e AAK-së, thekson se këtë vit Qeveria Kurti mund bëjë ngritjen e pagave, për shkaqe elektroale.

‘’Meqë jemi në vitin e fundit, për shkaqe elektorale, mund të i ngritin pagat, por shpresojmë të ketë edhe sigurime shëndetësore’’ deklaron ajo për FrontOnline.

 

Sindikata e Policisë: Ministri Sveçla na premtoj se shumë shpejtë bëhen sigurimet shëndetësore për policët

Nënkryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Avdi Hoti, për FrontOnline, thotë se kanë diskutuar për sigurimet shëndetësore për pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe se iu është premtuar se ky sigurim do të bëhet për të gjithë njësoj.

‘’Ne i kemi diskutuar këto dhe na është premtuar se sigurimi shëndetësor do të bëhet për të gjithë’’ thotë ai.

Hoti, thotë se kanë kërkuar që të bëhet një sigurim, por që nuk është bërë.

‘’Ne kemi kërkuar një sigurim, por që nuk është bërë dhe kështu është mbetur puna’’ shprehet ai për FrontOnline.

Nënkryetari i SPK-së, thotë se ministri i brendshëm, Xhelal Sveçla, iu ka premtuar sigurim të shpejtë, por nuk e din nëse kjo mund të ndodhë brenda këtij mandati qeverisës.

‘’Shumë shpejt kanë premtuar, nuk e di a brenda këtij mandati por na kanë thënë shumë shpejt, para dy muajve me ministrin e kemi pasur takimin’’ përfundon Hoti për FrontOnline.

 

Ish-drejtori i Policisë shpreh mllefin: A ka diku ndonjë Polici në botë që nuk ka sigurime shëndetësore përveç Kosovës?!

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Sheremet Ahmeti, për FrontOnline, thotë se Sigurimi Shëndetësor për Policinë e Kosovës, ka qenë nevojë e përhershme, pasi që policia i ekspozohet rrezikut, pasi është profesion i tillë.

‘’Kjo ka qenë nevojë e përhershme me ndodhë. Unë e kam drejtuar gjatë Policinë e Kosovës. Kjo polici vazhdimisht i ekspozohet rrezikut për shkak të profesionit që e ushtron. Ju e dini se edhe disa policë kanë humbur jetën në detyrë  e shumë të tjerë që janë lënduar, dhe nevoja për sigurim shëndetësor është jetike’’ thotë ai.

Ahmeti, madje thotë se Policia e Kosovës, është e vetmja në botë që nuk ka sigurime shëndetësore.

‘’A ka dikë ndonjë Polici në botë që nuk ka sigurime shëndetësore? Kjo ishte dashur të ndodhë që Policia e Kosovës të ketë siguri’’, potencon ai për FrontOnline.

Ish-drejtori i Policisë thotë se ka pasur raste kur vetë policët është dashur ta ndihmojmë kolegun e tyre për të blerë barna dhe gjëra të tjera.

‘’Sigurimi shëndetësor i ofron siguri policit, e polici i ofron siguri familjes, ndërsa siguria e familjes është siguri e vendit. Ne është dashur të i ofrojmë policit ndihma dhe barna kur janë shtruar në spital dhe kjo është e papranueshme’’, thekson Ahmeti/FrontOnline/