Mexhiti: “Balancuesi” u keqpërdor, tani në Qeveri kemi pajtim për miratimin e Ligjit për përfaqësimin e drejtë

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka sqaruar që në Qeveri ka harmoni për miratimin e Ligjit për përfaqësimin e drejtë, pasi vlerësohet ligj më i mirë për shtetin, transmeton Portalb.mk. “Në nivel qendror, mundet maqedonasit të deklarohen si shqiptarë, na nivel lokal shqiptarët si maqedonas. Ashtu që “balancuesi” është jashtë funksionit. […]

Mexhiti: “Balancuesi” u keqpërdor, tani në Qeveri kemi pajtim për miratimin e Ligjit për përfaqësimin e drejtë
Izet Mexhiti. Foto: Qeveria e RMV-së

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka sqaruar që në Qeveri ka harmoni për miratimin e Ligjit për përfaqësimin e drejtë, pasi vlerësohet ligj më i mirë për shtetin, transmeton Portalb.mk.

“Në nivel qendror, mundet maqedonasit të deklarohen si shqiptarë, na nivel lokal shqiptarët si maqedonas. Ashtu që “balancuesi” është jashtë funksionit. Kemi marrëveshje politike që kjo të rregullohet me Ligjin për përfaqësim të drejtë, por edhe cilësor”, deklaroi Mexhiti.

Ai përkujtoi rëndësinë e “balancuesit”, si një mekanizëm për zbatimin e Marrëveshjes Kornizë për përfaqësim të drejtë të komunitetit në administratë shtetërore dhe publike, duke e përmirësuar përqindjen e etnive joshumicë në administratë.

Në pyetjen e parashtruar nga Radio Evropa e Lirë se në çka dallon Ligji për përfaqësim të drejtë nga “balancuesi”, ai sqaroi që “në rast se duhet të punësohet një maqedonas, do të punësohet, por më i kualifikuari”.

“Nëse duhet të punësohet një shqiptar – po, por më i kualifikuar, më i arsimuari, më i përgatituri, edhe nesër, pasnesër më mirë do t’i shërben qytetarët për nevojat e tyre”, sqaroi Mexhiti.

Mexhiti sqaroi që po kërkohet mënyrë si të regjistrohet përkatësia etnike në administratë, pa e cenuar privatësinë.

Vendimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese i llogarit si të dyshimta, duke theksuar që ky problem, sikurse edhe problemi me “gjuhën”, janë probleme që ekzistojnë me dekada, ndërsa tani kur po formohet qeveria e re po nxirren në shesh.

Gjykata Kushtetuese me 18 shtator 2024 vendosi të nisë procedurë për hapjen e lëndës pas nismës së KSHPK-së që konteston dispozitat që kanë të bëjnë me përfaqësimin e drejtë etnik në institucione, i njohur ndryshe si “balancuesi”.