Në vend të “kripto-pasurisë” – një llogari boshe për qytetarin e Maqedonisë së Veriut

Europol-i dhe Interpol-i së bashku me Policinë maqedonase, janë në kërkim të mashtruesve me lajme të rreme për tregtimin e kriptovalutave, bëri të ditur Ministria e Punëve të Brendshme në Shkup, raporton Radio Evropa e Lirë. Disa gjurmë të faqeve mashtruese çojnë në adresa në Britani, në Shtetet e Bashkuara e Singapor dhe kërkojnë futjen […]

Në vend të “kripto-pasurisë” – një llogari boshe për qytetarin e Maqedonisë së Veriut
Këmbimore për shitblerjen e kriptovalutave. Foto nga Faton Curri / Portalb.mk

Europol-i dhe Interpol-i së bashku me Policinë maqedonase, janë në kërkim të mashtruesve me lajme të rreme për tregtimin e kriptovalutave, bëri të ditur Ministria e Punëve të Brendshme në Shkup, raporton Radio Evropa e Lirë. Disa gjurmë të faqeve mashtruese çojnë në adresa në Britani, në Shtetet e Bashkuara e Singapor dhe kërkojnë futjen e të dhënave personale për tregtimin e kriptovalutave. Politikanët dhe gazetarët që janë abuzuar në mashtrim kanë bërë tashmë denoncime.

Dy klikime të gabuara në internet dhe menjëherë do të merrni një thirrje në celularin juan nga një numër i dyshimtë me prefiks të huaj. Kjo i ka ndodhur 48-vjeçarit Petar nga Shkupi, i cili ka klikuar në një link me një lajm të rremë, në të cilin është keqpërdorur emri dhe fotografia e një gazetareje maqedonase, ku thuhet rrejshëm se ajo ka vdekur në rrethana të dyshimta, pasi ka njoftuar se si u pasurua shpejt përmes kriptovalutave.

Fushata me mashtrime të tilla ka të paktën dy javë që është aktive në rrjetet sociale Facebook dhe Instagram. Janë publikuar linqe e lajme të rreme për personazhe publike maqedonase, të cilat imitojnë media të njohura për audiencën. Janë keqpërdorur emrat e ish-kryeministrit Zoran Zaev, kryeministrit aktual, Hristijan Mickoski, si dhe shumë emra gazetarësh.

Tri platforma të supozuara të tregtimit të kriptomonedhave të quajtura “nearstedge”, Bitapp24 dhe Immediate codex po ofrohen përmes disa faqeve të rreme. Pasi të klikoni në një nga këto platforma të supozuara të tregtimit të kriptomonedhave, do të shihni se të gjitha kanë të njëjtën faqe të parë, vetëm emri i ueb-faqes është i ndryshëm. Gjurmët fillestare në internet tregojnë se kjo fushatë filloi në dhjetor të vitit të kaluar me platformën e pretenduar Bittap, e cila tani tregon se është në punë.

Përdoruesit i kërkohet të blejë kriptomonedhë, me shkronja me font më të vogël që ju njoftojnë se e pranoni vetë rrezikun e tregtimit, që do të thotë se edhe nëse humbasin paratë, nuk ka kujt t’i ankoheni. Policia maqedonase tashmë ka nisur hetimet për këto mashtrime pasi ka marrë disa raportime.

“Duke qenë se autorët janë nga jashtë, jemi duke u koordinuar me Europol-in dhe Interpol-in dhe për rastet është njoftuar edhe Prokuroria”, thuhet në përgjigjen e MPB -së për Radion Evropa e Lirë.

Sipas të dhënave në rrjetet sociale Facebook dhe Instagram, fushata mashtruese synon përdoruesit e moshës 27 deri në 64 vjeç që ndodhen në Maqedoninë e Veriut.

Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale e Maqedonisë së Veriut thotë se këtë vit nuk kanë marrë asnjë ankesë nga qytetarët për mashtrim dhe abuzim me emrin dhe foton me lajme të rreme për kriptovalutat.

Agjencia bën thirrje te qytetarët që sa më shpejt të kërkojnë ndihmë dhe t’i raportojnë këto raste tek institucionet kompetente në mënyrë që të mos pësojnë dëme të mëtejshme, jo vetëm financiarisht, por edhe të jetës private, integritetit, nderit dhe reputacionit të tyre.

Ndryshe, Departamenti i Krimeve Kompjuterike më 12 korrik informoi se po përhapet një fushatë e rreme për tregtimin e lehtë të kriptomonedhave. Publikimi i linqeve në ueb-faqe dhe shërbimet në rrjetet sociale për fitime të shpejta me kriptovaluta është i shpeshtë.