Përvjetori i radiolojës “Liqeni i Vajkalit”, si ra CIA amerikane në kurthin e Sigurimit shqiptar

Tre korriku shënon përvjetorin e fillimit të radiolojës “Liqeni i Vajkalit”, një nga operacionet më të spikatura të inteligjencës shqiptare, në kurthin e të cilit ra dhe CIA amerikane. Ajo mbahet mend si një nga ngjarjet e rëndësishme që tregojnë se si inteligjenca e një vendi të vogël mundi edhe më të mëdhenjtë e botës. […] The post Përvjetori i radiolojës “Liqeni i Vajkalit”, si ra CIA amerikane në kurthin e Sigurimit shqiptar appeared first on Newsbomb Albania.

Përvjetori i radiolojës “Liqeni i Vajkalit”, si ra CIA amerikane në kurthin e Sigurimit shqiptar

Tre korriku shënon përvjetorin e fillimit të radiolojës “Liqeni i Vajkalit”, një nga operacionet më të spikatura të inteligjencës shqiptare, në kurthin e të cilit ra dhe CIA amerikane. Ajo mbahet mend si një nga ngjarjet e rëndësishme që tregojnë se si inteligjenca e një vendi të vogël mundi edhe më të mëdhenjtë e botës.

Hekuran Pobrati dhe Asim Aliko janë dy nga agjentët shqiptarë më të spikatur të këtij operacioni.

Po cili ishte grupi që kishte rënë në duar të Sigurimit të Shtetit, me ndihmën e të cilit mund të organizohej një radiolojë?

Bëhej fjalë për Zenel Shehun, që dikur kishte qenë kapiten në Gardën Mbretërore të Mbretit Zog, me detyrë oficer shërbimi pranë Familjes Mbretërore. Ai ishte larguar jashtë vendit në prag të pushtimit italian bashkë me familjen mbretërore dhe që nga kjo kohë kishte vazhduar t’i shërbente derisa Mbreti e vuri në shërbim të CIA-a. I dyti i arrestuar ishte Tahir Preçi, ndërlidhës. Fillimisht kishte shërbyer në karabinierinë italiane, ku kishte vazhduar punën edhe pas pushtimit nazist të vendit.

Një pjesë kohe kishte hyrë edhe në radhët e ushtrisë Antifashiste, por më pas ishte arratisur në Greqi, ku ishte vënë në shërbim të CIA-s. Në të njëjtën periudhë ishte specializuar si radist në një qendër të CIA-s, që gjendej në Mynih të Gjermanisë.

Të dy këta ishin futur nga kufiri tokësor me Greqinë. Sigurimi i Shtetit merr sinjale për kalimin e një avioni mbi territorin shqiptar në të gdhirë të 5 majit 1952 dhe më tej vërteton se ai kishte desantuar parashuta në malin e Lenies, në zonën e Gramshit. Duke parë vendzbarkimin e analizuar provat ishte ardhur në konkluzionin se avioni nuk kishte zbarkuar njerëz, por materiale.

Më tej ngjarja lidhet me një shkelje kufiri të datës 1 maj 1952, nga jashtë brenda, në zonën Nikolicës, në rrethin e Korçës, mes piramidave 67-68, ku identifikohet një grup prej pesë – gjashtë njerëzish, gjurmët e të cilëve kishin humbur megjithë kërkimet e ndërmarra. Më tej, më 15 maj 1952, grupi i njerëzve bëhet përsëri i gjallë, këtë radhë në Martanesh, ku një bari dëshmon se kishte takuar në pyll dy persona të veshur me rroba ushtarake dhe të armatosur me automatikë gjermanë.

Pa gjetur mundësi të fshiheshin, ata i kishin thënë bariut se ishin ushtarë të mbrojtjes. Duke bërë logjikisht rreshtimin e tre ngjarjeve, duke përllogaritur kohën, Sigurimi i Shtetit vjen në përfundimin se bëhej fjalë për të njëjtin grup që theu kufirin në Nikolicë të Korçës, më 1 maj 1952, që priti furnizim me avion më 5 maj në Gramsh dhe që u përball dhjetë ditë më pas në Martanesh me bariun dyshues. Më 25 maj 1952, dy njerëzit e armatosur shfaqen në fshatin Fushë-Bulqizë, ku i trokasin natën një fshatari, i cili, dyshues, i qëllon me armë duke i përzënë. Zona mbushet me agjentë dhe shpejt vijnë informacionet e para.

Më 7 qershor 1952, një bashkëpunëtor i Sigurimit i quajtur “Fatosi”, raporton se një i njohuri i tij, G.M., i kishte kërkuar takim urgjent duke i thënë se kishte të fala nga kolegu i vjetër, Zenel Shehu. I njëjti i sqaron se ai kishte mbërritur atyre anëve i dërguar nga Mbreti Zog dhe nga amerikanët me një mision të rëndësishëm.

Shpejt Sigurimi fut në lojë edhe një bashkëpunëtor tjetër që banonte në këtë zonë, i cili njihej me pseudonimin “Shqiponja”. Pas pak ditësh, me qëllim që të bëhej i mundur arrestimi i të dyve pa e marrë vesh askush në zonë, Sigurimi instrukton “Fatosin” të bindë Zenel Shehun se do të bënte mirë që të mbante lidhjet me sa më pak persona, pasi kishte të ngjarë të zbulohej nga policia. Madje ai e bën aq mirë lojën, saqë veç vetes, arrin të bindë ish-kapitenin e Mbretit të zgjedhë për të mbajtur kontaktet edhe bashkëpunëtorin tjetër “Shqiponja”.

Të dy, duke vazhduar lojën i raportonin Zenel Shehut se ishin duke punuar fort për të gjetur mbështetës në radhët e popullit dhe kështu dalëngadalë i ngrenë grackën.

Dikur e bindin të takonte katër mbështetës të tij në një vend të caktuar. Kuptohet që në vend të mbështetësve në këtë vend i pritën katër punëtorë operativë të Sigurimit, që të gjithë të instruktuar që arrestimin ta bënin të pastër, pasi kishte një udhëzim për të bërë kujdes, pasi të paktën dora e djathtë e radistit, ajo që bënte transmetimin, duhet me patjetër të mos dëmtohej.

Kështu më 29 qershor 1952, që të dy arrestohen thuajse pa bërë asnjë rezistencë. Nga Sigurimi bëhet gjithçka gati për fillimin e radiolojës. Një ndërmarrje që nuk ndërtohej për herë të parë, pasi një operacion i njëjtë, i koduar “Buza e Bredhit”, sapo kishte përfunduar me sukses duke vënë në lojë shërbimin sekret italian.

The post Përvjetori i radiolojës “Liqeni i Vajkalit”, si ra CIA amerikane në kurthin e Sigurimit shqiptar appeared first on Newsbomb Albania.