RMV, partitë dhe Kuvendi të bëjnë çmos për të luftuar korrupsionin që lulëzon në vend

Nevojitet vullnet i jashtëzakonshëm politik dhe përpjekje mbipartiake, si nga qeveria ashtu edhe nga opozita e Maqedonisë së Veriut për të diskutuar hapur në parlament për rikthimn e besimit te gjyqësori dhe tek instutionet e tjera, si dhe për luftën kundër korrupsionit. Ishin këto disa nga konkluzionet e diskutimit gjatë prezantimit të publikimit “Parlamenti 2024-2028: […]

RMV, partitë dhe Kuvendi të bëjnë çmos për të luftuar korrupsionin që lulëzon në vend

Nevojitet vullnet i jashtëzakonshëm politik dhe përpjekje mbipartiake, si nga qeveria ashtu edhe nga opozita e Maqedonisë së Veriut për të diskutuar hapur në parlament për rikthimn e besimit te gjyqësori dhe tek instutionet e tjera, si dhe për luftën kundër korrupsionit. Ishin këto disa nga konkluzionet e diskutimit gjatë prezantimit të publikimit “Parlamenti 2024-2028: Angazhime të reja në luftën kundër korrupsionit” kushtuar rolit të Kuvendit në forcimin e luftës kundër korrupsionit, i cili u mbajt sot në Shkup, nën organizim të Institutit për Demokraci “Societas Civilis”, njofton Portalb.mk.

Misha Popoviq, udhëheqës i Qendrës për Menaxhim të Mirë në Institutin për Demokraci, tha se Kuvendi ka një agjendë ambicioze për reforma dhe luftë kundër korrupsionit për katër vitet e ardhshme. Ai tha se brenda kësaj periudhe duhet të miratohet edhe Strategjia e re Kombëtare për Korrupsionin, e cila është përgatitur nga Komisioni Kundër Korrupsionit.

Misha Popoviq, udhëheqës i Qendrës për Menaxhim të Mirë në Institutin për Demokraci. Foto: Enis Shaqiri/Portalb.mk

“Duhet të ketë legjitimitet të dhënë nga legjislativi, por ka nevojë edhe për të forcuar rolin mbikëqyrës të Parlamentit, për të cilin flasim prej kohësh. Komisioni Kundër Korrupsionit, si dhe sektori joqeveritar, duhet të informojnë sa më shumë deputetët dhe të kërkojnë përgjegjësi, të japin udhëzime dhe të ndihmojnë të tjerët në luftën kundër korrupsionit. Institucionet që punojnë mirë, sidomos në parandalim, mund të kursejnë paratë e qytetarëve”, tha Popoviq.

Ljupço Prenxhov, deputet i GROM-it pjesë e koalicionit me VMRO-DPMNE-në, si edhe kryetar i Komisionit për Sistem Politik dhe Marrëdhëniet Ndërmjet Komuniteteve, u shpreh i bindur se shpërbërja e Këshillit Gjyqësor dhe të Prokurorëve do të kontribuojë në luftën kundër korrupsionit.

Ai paralajmëroi ndryshime thelbësore në periudhën e ardhshme duke theksuar se në Maqedoninë e Veriut krimi dhe korrupsioni janë duke lulëzuar, dhe për ta luftuar nevojitet ndryshim i plotë i sistemit.

Ljupço Prenxhov, deputet i GROM-it pjesë e koalicionit me VMRO-DPMNE-në. Foto: Enis Shaqiri/Portalb.mk

“Sipas parimit evropian, ata që janë pasuruar në kurriz të qytetarëve do të mbajnë përgjegjësi. Besoj gjithashtu se Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli i Prokurorëve Publikë duhet të shpërbëhen, pasi kemi parë shumë raste ku të afërmit e individëve të caktuar janë emëruar në prokurori dhe gjyqësor. Duhet të kemi kritere të qarta dhe të matshme, në mënyrë që të gjithë të dinë nëse i plotësojnë apo jo kushtet, dhe një procedurë publike dhe transparente që do të garantojë integritetin dhe cilësinë e kandidatëve të zgjedhur. Si opozitë, ne vazhdimisht kemi monitoruar zhvillimet e periudhës së kaluar dhe nuk duhet të lejojmë që ato të përsëriten”, tha Prenxhov, duke kërkuar gjithashtu përfshirjen e Gjykatës Supreme për të shqyrtuar rastet e padrejtësive të mëdha.

Maksim Acevski, kryerevizor shtetëror, tha se deputetët duhet të mbledhin forca dhe deri në fund të këtij viti të miratojnë Ligjin për revizionin shtetëror, i cili për një kohë endet nëpër institucione.

Maksim Acevski, kryerevizor shtetëror. Foto: Enis Shaqiri/Portalb.mk

“Është koha që disa raporte të auditimit të marrin vëmendjen e duhur edhe në seancat plenare”, theksoi Acevski.

Kurse Servet Demiri nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit theksoi se është e rëndësishme dhe shumë e nevojshme që deputetët të qëndrojnë në të njëjtin krah në luftën kundër korrupsionit.

Servet Demiri, anëtar i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Foto: Enis Shaqir/ Portalb.mk

“Detyra kryesore e Kuvendit është të detyrojë të gjitha institucionet përkatëse që të veprojnë dhe të zgjidhin problemet e identifikuara si prioritare. Dua të theksoj se bashkëpunimi mes Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe Kuvendit është një element thelbësor për të siguruar një strukturë qeverisëse efektive dhe të përgjegjshme, e cila është veçanërisht kritike në kontekstin e Maqedonisë së Veriut, ku korrupsioni është një nga sfidat më të mëdha”, përfundoi Demiri duke kërkuar që të gjitha institucionet shtetërore në vend të bashkëpunojnë me Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.

Në anën tjetër, deputetja Sonja Mirakovska, tha se Kuvendi do të ketë mbështetjen e partisë së saj për miratimin e ligjeve në të mirë të qytetarëve.

“Edhe pse jemi opozitë e vogël në Kuvend, Kuvendi do të ketë mbështetjen e nevojshme nga ne për miratimin e ligjeve që janë në të mirë të qytetarëve. Në luftën kundër korrupsionit, ne duhet të jemi të vendosur dhe të jemi të bashkuar në qëllimet tona, dhe do të jemi pranë jush në rolin tonë si individë”, tha Mirakovska.

 

Panel Diskutimi: “Parlamenti 2024-2028: Angazhime të reja në luftën kundër korrupsionit”, kushtuar rolit të Kuvendit në forcimin e luftës kundër korrupsionit. Mbajtur nga Instituti për Demokraci, të premten në Hotel Selanik – Shkup. Foto: Enis Shaqiri/Portalb.mk

Ngjarja u organizua si pjesë e projektit “Inkurajimi i debatit për llogaridhënien dhe kundër korrupsionit” i cili synon të kontribuojë në proceset reformuese në Maqedoninë e Veriut duke forcuar rolin e Kuvendit në luftën kundër korrupsionit, duke krijuar reforma në sundimin e ligjit, si dhe duke mundësuar dialogun ndërmjet partive dhe të rinjve si dhe ndërmjet deputetëve dhe shoqërisë civile. Projekti mbështetet nga Fondi Kombëtar për Demokraci (NED).