Zgjedhje në tetor? Pozita thotë se mund të mbahen qysh nesër, opozita kërkon dorëheqjen e Kurtit

Kosova mund të shkoj shumë shpejt në zgjedhje, madje edhe brenda këtij viti dhe si datë për shkuarjen në zgjedhje po shihet tetori i këtij viti, përkatësisht 6 eventualisht 13 tetori 2024. Kështu thonë burime të mirëinformuara të FrontOnline. Për partitë politike, kjo datë nuk përbën ndonjë problem dhe se janë të gatshme për të […]

Zgjedhje në tetor? Pozita thotë se mund të mbahen qysh nesër, opozita kërkon dorëheqjen e Kurtit

Kosova mund të shkoj shumë shpejt në zgjedhje, madje edhe brenda këtij viti dhe si datë për shkuarjen në zgjedhje po shihet tetori i këtij viti, përkatësisht 6 eventualisht 13 tetori 2024. Kështu thonë burime të mirëinformuara të FrontOnline.

Për partitë politike, kjo datë nuk përbën ndonjë problem dhe se janë të gatshme për të shkuar në zgjedhje. Për partinë që është në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje, problemi qëndron tek opozita dhe jo tek ata, derisa opozita përsëri kërkon dorëheqjen e kryeministrit ose shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës për të shkuar në zgjedhje e duke e quajtur si kryeministër dështak, Albin Kurtin.

Por ka edhe nga ata që konsiderojnë edhe muajin nëntor si ideal për mbajtjen e zgjedhjeve.

Manxhuka: Opozita ka kërkuar zgjedhje me kushtin që ato mos të mbahen

Zëdhënësi i VV-së, Arlind Manxhuka për “Front Online” thotë se VV janë të gatshëm për zgjedhje dhe për të gjetur stinën më të përshtatshme për t’i mbajtur ato.

“Që nga marrja e mandatit tone qeverisës opozita në vazhdimësi e ka pasur gojën plotë me fjalën “zgjedhje”. Tash kur praktikisht hymë në 6 mujorin e fundit të mandatit qeverisës ne ishim të gatshëm të bisedonim për zgjedhje e për të gjetur stinën më të përshtatshme për atë proces”, tha ai.

Zëdhënësi i LVV-së thotë se opozita kërkoi të mbahen zgjedhjet por me kusht që ato të mos mbahen, masi kur diskutimi u bë konkret ata u larguan.

“Kësisoj, ne ishim dhe vazhdojmë të jemi të gatshëm për zgjedhje por siç keni vënë re opozita prej asaj kohe më nuk i përmend ato. Duket që opozita ka kërkuar zgjedhje me kushtin që ato mos të mbahen, kur diskutimi u bë konkret ata u larguan”, potencoi tutje.

Manxhuka tha se ata publikisht i kanë shprehur qëndrimet e tyre për zgjedhje, duke thënë se janë të gatshëm për zgjedhje dhe qeverisje.

“Theksojmë, ne jemi të gatshëm edhe për zgjedhje edhe për qeverisje. Nuk është çështje burimesh sepse ne kemi dhënë qëndrimet tona publikisht”, tha Maxhuka për Front Online.

Rexhaj: Opozita nuk mund t’u ikë zgjedhjeve përherë, për VV-në mund të mbahen qysh në gusht

Arbër Rexhaj nga Vetëvendosje thotë për “Front Online” se VV qëndron shumë mirë në sondazhet e publikuara, duke marrë përkrahje të madhe nga qytetarët.

Ai thotë se krejt ky rezultat vjen si rezultat i punës së mirë të qeverisjes

“Në sondazhe të brendshme, në të jashtme dhe ato që po publikohen çdo gjashtë muaj LVV qëndron aty ku ka qenë edhe më përpara, pra te 50%.  Sondazhet po tregojnë një përkrahje të madhe qe VV i ka arritur falë punës së mirë të kryeministrit dhe kabinetit qeveritar”, tha ai.

Rexhaj thotë se janë të gatshëm për zgjedhje jo në tetor por qysh në gusht, por sipas tij, opozita po u ikë atyre duke ju thënë se s’mund të ikin përherë.

“Ne edhe si pozitë jemi dashtë të merremi vesh për mënyrën e shkuarjes në zgjidhje, duke i ftuar partitë opozitare në takim, ata nuk donin zgjedhje. Mbledhjet në VV mbahen në shumë nivele ku ne përherë diskutojmë për gjëra të ndryshme dhe ajo që mund të them është që ne mund të shkojmë në zgjedhje qysh nesër, pra edhe në gusht madje”, tha ai.

Rexhaj thotë se opozita nuk mund t’u ikin zgjedhjeve përherë.

” Meqë s’ka pasë dakordancë të shkohet për nja dy muaj në zgjedhje s’besoj që opozita ka udhëzimë të shkojë në zgjedhje tash. Natyrisht a nuk mund t’u ikin zgjedhjeve përherë dhe besoj që do të kemi zgjedhje, ato zgjedhje do të jenë të rregullta”, tha deputeti i VV-së.

Dugolli: VV gjithmonë e gatshme për zgjedhje, nuk u frikësohen atyre

Në anën tjetër edhe deputeti Enver Dugolli nga Vetvendosje thotë për “Front Online” se partia të cilës i përket është gjithmonë e gatshme për zgjedhje.

Dugolli thotë se ata nuk u frikësohen zgjedhjeve, pasi nuk kanë arsye.

“Vetvendosje gjithmonë është e gatshme për zgjedhje. Nuk u frikesohet atyre, pasi nuk ka arsye”, tha Dugolli.

Krasniqi: Po e shohim zgjënjimin e qytetarëve që mbështetën një mashtrues si Kurti, LDK-ja presim të dalë e para në zgjedhje

Rrezarta Kransiqi nga LDK-ja thotë për “Front Online se kryeministri Kurti duhet të japë dorëheqje dhe vendi të shkojë sa më parë në zgjedhje.

“E kemi dhënë qëndrimin e LDK-së që Kurti duhet të japë dorëheqje dhe vendi të shkoj në zgjedhje”, tha ajo.

Krasniqi thotë se po punojnë si LDK në terren dhe presin të dalin të parët në zgjedhje, pasi qytetarët janë zhgënjyer që mbështetën një mashtrues për kryeministër.

“Ne jemi duke punuar shumë në terren, kemi gati plan-programin, po e shohim çdo ditë zgjënjimin e qytetarëve që e kanë mbështet një mashtrues. Deri më tash nuk ka bërë asnjë punë për me u mbajtë mend për të mirë. Dhe, normal po punojmë të dalim të parët ashtu si në zgjedhjet lokale”, thotë deputetja e LDK-së për Front Online.

Beqa: Kurti duhet të dorëhiqet dhe vendi të shkoj në zgjedhje, është kryeministër i dështuar

Hajdar Beqa nga PDK thotë për “Front Online” se vendi duhet të shkojë në zgjedhje sa më parë, pasi qeveria aktuale ka dështuar në menaxhim të të gjithë sektorëve të brendshëm dhe atyre të jashtme.

Beqa thotë se është domosdoshmëri të shkohet në zgjedhje sa më parë.

“Ne si PDK kemi qenë dhe jemi të gatshëm në çdo kohë për të shkuar në zgjedhje. Konsiderojmë që është në interes të qytetarëve të vendit dhe është kërkesë e tyre me shku në zgjedhje. Kjo për faktin se qeveria aktuale ka dështuar si në menaxhimin e të gjitha sektorëve të brendshme por edhe në raport me dialogun dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata kredibile, njohje të reja për përfaqësim diplomati. Andaj, mendojmë që është domosdoshmëri të shkohet në zgjedhje”, tha ai.

Deputeti i PDK-së thotë se në zgjedhje në tetor mund të shkohet vetëm me dorëheqjen e Kurtit, apo siç e quan qi “kryeministër i dështuar”, në të kundërtën ai thotë se zgjedhjet do të mbahen në fillimvit të ardhshëm.

“Tani jemi në kuadër kushtetues në pjesën e fundit të mandatit qeverisës por edhe të parlamentit. Nga shtatori e tutje duhet të konsultohen liderët politik që të caktohet data e zgjedhjeve. Mbajtja e tyre në shtator-tetor, mendoj që është e pamundshme, ose është vetëm një rrugë, të jep dorëheqje duke e pranuar realitetin kryeministri se duhet të jepë dorëhëqje se është kryeministër i dështuar. Në të kundërtën mendoj që zgjedhjet do të mbahen në afatin kushtetues në fillim të vitit 2025”, tha ai.

Beqa tha se pas zgjedhjeve presin fitore të PDK-së.

“Pas zgjedhjeve, presim qeveri të re, fitore të PDK-së dhe qytetarëve të Kosovës , zhvillim dhe integrim të vendit, më shumë rend, ligj, zhvillim ekonomik dhe më shumë shpresë për qytetarët”, tha ai për Front Online.

Berisha: Të shpërbëhet Kuvendi sa më parë, AAK-ja do dalë me 17%

Bekë Berisha nga AAK thotë se nëse duhen votat e partisë që i takon për shpërbërjen e Kuvendit, atëherë ato do t’i kenë.

Berisha thotë për “Front Online” se është i gatshëm për të shkuar në zgjedhje në tetor, apo edhe sa më parë të jetë e mundur.

“Po, do t’i kenë votat e AAK-së për shpërbërje të Kuvendit. Jemi për të gjitha format, unë personalisht jam për të shkuar në zgjedhje në tetor, apo kurdo e më parë”, tha ai.

Deputeti i AAK-së thotë se Aleanca se në zgjedhje do të dalë me rezultat prej 17%.

“Aleanca është e gatshme për zgjedhje kurdo që të mbahen dhe sa më shpejtë. Nga zgjedhjet presim rezultate të mira, pragun e ulët e kemi 12.6 që shënon 17%”, tha Berisha për Front Online.

Gazmir Raci: Muaji nëntor ideal për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta

Analisti politik, Gazmir Raci vlerëson se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme gjatë këtij viti.

Pasi sipas tij, zgjedhjet e rregullta janë shumë afër.

“Një opsion i mundshëm ke në korrik por opozita nuk ishte e gatshme dhe ishte e çuditshme mos gatishmëria e një pjese e opozitës për me shkuar në zgjedhje të parakohshme. Nuk mendoj që do të ketë zgjedhje të parakohshme se zgjedhjet e rregullta janë shumë afër edhe shtatë muaj”, u shpreh Raci.

Raci ka propozuar si muajin nëntor ideal për mbajtën e zgjedhjeve.

“Nëntori mund të jetë ideal për me u mbajtur zgjedhjet e rregullta se presidentja e ka të drejtën me Kushtetutë me i caktuar zgjedhjet tre muaj para datës së rregullt të zgjedhjeve të rregullta”, theksoi Raci.