Komuna do të ndajë 3 milionë denarë për qytetarët që pësuan nga reshjet e fundit në Butel
Qytetarët e komunës së Butelit do të marrin dëmshpërblim për kompensimin e problemeve që ju kanë ndodhur si rezultat i përkeqësimit të motit në javën e kaluar, transmeton Portalb.mk. “Ju informojmë se sot, me propozim të kryetarit Darko Kostovski, Këshilli i Komunës së Butelit, njëzëri ka marrë vendim për ndihmën në vlerë prej 3 milionë […]
![Komuna do të ndajë 3 milionë denarë për qytetarët që pësuan nga reshjet e fundit në Butel](https://i0.wp.com/portalb.mk/wp-content/uploads/2023/05/338945521_1383994959098827_5004411641516925342_n-1.jpg?fit=1024%2C682&quality=89&ssl=1)
Qytetarët e komunës së Butelit do të marrin dëmshpërblim për kompensimin e problemeve që ju kanë ndodhur si rezultat i përkeqësimit të motit në javën e kaluar, transmeton Portalb.mk.
“Ju informojmë se sot, me propozim të kryetarit Darko Kostovski, Këshilli i Komunës së Butelit, njëzëri ka marrë vendim për ndihmën në vlerë prej 3 milionë denarë për qytetarët që u dëmtuan nga koha jo e mirë në komunën e Butelit”, njoftoi Komuna e Butelit.
Komuna sqaroi që këto mjete vijnë nga buxheti komunal, ndërsa në kuadër të shpërndarjes së tyre do të bëhet formimi i komisionit për vlerësimin e dëmeve. Ata sqaruan se së shpejti do të bëhet e publike procedura për konfirmim e dëmeve.
“Para disa ditëve, komuna e Butelit ishte e përfshirë nga moti i përkeqësuar ku pati reshje të rrëmbyeshme, ndërsa shumë qytetarë kanë pësuar në shtëpitë e tyre”, deklaroi Kostovski, duke paralajmëruar që së shpejti do të bëhet publike Thirrja për qytetarët që të paraqesin dëmet e shkaktuara.
Të gjithë qytetarët e Komunës së Tetovës që kanë pësuar dëme në prona dhe bujqësi nga reshjet dhe stuhia, deri të premten (7 korrik) mund të paraqesin kërkesë për dëmshpërblim në komunë. Komuna e Likovës gjithashtu ka premtuar ndihmë për qytetarët që e pësuan nga reshjet.
Kujtojmë që javën e kaluar Tetova, Shkupi dhe Kumanova u kapluan nga reshjet e dendura, stuhia dhe breshëri, të cilat shkaktuan përmbytje dhe dëme të mëdha në pronat e qytetarëve, bujqësi dhe të tjera. Kompensim për dëmet në bujqësi ka premtuar edhe ministri i Bujqësisë, Cvetan Trupunovski pas vizitës së disa pjesëve të dëmtuara në Tetovë.
LEXO: Qytetarët në Tetovë mund t’i paraqesin dëmet nga reshjet deri të premten LEXO: Pas pasojave nga reshjet, Komuna e Likovës vendosi të ndajë mjete për dëmet LEXO: Përmbytjet dhe zjarret do të shpeshtohen, Maqedonia po përgatit dokument për organizimin e menaxhimit të krizave