Mickoski për reformën në Këshillin Gjyqësor: Është bërë praktikë që ambasadorët të përzihen, por unë jam i gatshëm të bisedoj

Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se është i gatshëm të bisedojë me ekspertë, por edhe me ambasadorë për reformën e paralajmëruar në Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin e Prokurorëve Publikë. Deklarata e tij vjen pasi disa prej ambasadorëve dje shprehën vërejtjet për njoftimin për shpërbërjen e tyre, transmeton Portalb.mk. “Jam gati të ulem gjithë ditën, të flas, […]

Mickoski për reformën në Këshillin Gjyqësor: Është bërë praktikë që ambasadorët të përzihen, por unë jam i gatshëm të bisedoj

Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se është i gatshëm të bisedojë me ekspertë, por edhe me ambasadorë për reformën e paralajmëruar në Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin e Prokurorëve Publikë. Deklarata e tij vjen pasi disa prej ambasadorëve dje shprehën vërejtjet për njoftimin për shpërbërjen e tyre, transmeton Portalb.mk.

“Jam gati të ulem gjithë ditën, të flas, të punoj derisa të gjejmë një zgjidhje për ta bërë më mirë, thjesht jo si më parë. Sepse siç është deri tani nuk është mirë”, ka thënë Mickoski në një deklaratë për mediat gjatë vizitës së sotme në Gjevgjeli.

Duke folur për deklaratat e djeshme të disa prej ambasadorëve, Mickoski tha se e ka dëgjuar atë deklaratë, por edhe se 600.000 qytetarë kanë votuar për politikat e këtij koalicioni.

“Disi është bërë praktikë që ambasadorët të ndërhyjnë në punët e brendshme të vendit. Mirë, edhe të jetë kështu, 600 mijë qytetarë votuan për këtë koalicion. Është e qartë se kjo nuk do të thotë asgjë për ta dhe për politikat e kësaj qeverie. Në të njëjtën kohë thonë se gjendja me shtetin e së drejtës është katastrofike, në raportet e tyre thonë se krimi dhe korrupsioni po lulëzon, besimi në Këshillin Gjyqësor dhe në Këshillin e Prokurorëve Publikë është 2-3 përqind në mesin e qytetarëve”, tha Mickoski.

Kryeministri shtoi se është i gatshëm të bisedojë me ta dhe nëse kjo zgjidhje është më e mirë, menjëherë do ta pranojë dhe ta zbatojë.

“Shikoni kush janë anëtarët e Këshillit Gjyqësor dhe gjithçka është e qartë për ju. Të gjithë kemi qenë dëshmitarë të të gjitha atyre dramave që kanë ndodhur në periudhën e kaluar, lidhur me Këshillin Gjyqësor, Këshillin e Prokurorëve Publikë”, tha Mickoski.

Ndryshe, ambasadori evropian David Geer, në konferencën e djeshme për progresin në zbatimin e rekomandimeve të Misionit vlerësues të BE-së nga Këshilli Gjyqësor, tha se shpërbërja e paralajmëruar e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve Publikë është ndërhyrje diskrecionale në pavarësinë e gjyqësorit.

Ambasadorja amerikane Angela Ageler beson se Këshilli Gjyqësor duhet t’i dënojë ata që konsiderohen mbi ligjin, ndërsa ambasadori holandez Dirk Jan Kopp përsëriti se besimi i qytetarëve të Maqedonisë në gjyqësor është jashtëzakonisht i ulët.

Kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva, nga ana tjetër nuk e përkrah tezën e përgjegjësisë kolektive dhe mendon se ajo duhet të zbulohet dhe sanksionohet individualisht.

VMRO-DPMNE-ja dhe tashmë kryeministri, Hristijan Mickoski, ka paralajmëruar shpërbërjen e përbërjes aktuale të Këshillit Gjyqësor dhe reformim në pjesën e zgjedhjes së ardhshme të anëtarëve të tij. Në një prononcim për “Sloboden Peçat” dhe “Fokus” Këshilli tha se gjyqësori, si një nga tre autoritetet, është i pavarur dhe çdo ndërhyrje nga autoritetet e tjera mund të jetë e rrezikshme për demokracinë dhe shtetin e së drejtës.

LEXO: Dameva kundër përgjegjësisë kolektive: Ajo duhet zbuluar dhe sanksionuar individualisht LEXO: Këshilli Gjyqësor për njoftimet e Mickoskit për shpërbërjen e tij: Ndërhyrja në gjyqësor e rrezikshme për demokracinë LEXO: Dy anëtarë të rinj të Këshillit Gjyqësor dhanë deklaratë solemne pas paralajmërimeve për shpërbërjen e tij