Procesi i Hartëzimit të Korrupsionit, Haxhiu: Mekanizmi antikorrupsion po fuqizohet dita-ditës

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, mbajti sot fjalim në tryezën e organizuar për prezantimin e gjetjeve nga Procesi i Hartëzimit të Korrupsionit, realizuar sipas metodologjisë së Këshillit të Evropës. Në fjalimin e saj, ministrja theksoi vullnetin e Qeverisë së Kosovës për të promovuar një kulturë të integritetit në institucionet publike dhe për të luftuar pa […]

Procesi i Hartëzimit të Korrupsionit, Haxhiu: Mekanizmi antikorrupsion po fuqizohet dita-ditës

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, mbajti sot fjalim në tryezën e organizuar për prezantimin e gjetjeve nga Procesi i Hartëzimit të Korrupsionit, realizuar sipas metodologjisë së Këshillit të Evropës.

Në fjalimin e saj, ministrja theksoi vullnetin e Qeverisë së Kosovës për të promovuar një kulturë të integritetit në institucionet publike dhe për të luftuar pa kompromis korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Ajo nënvizoi se në Programin e Qeverisë për periudhën 2021-2025, lufta kundër korrupsionit dhe përmirësimi i integritetit dhe llogaridhënies së institucioneve të drejtësisë janë vendosur si objektiva strategjike dhe prioritete kryesore.

Haxhiu veçoi disa nga arritjet kryesore të Ministrisë së Drejtësisë, duke përfshirë: Zhvillimin e procesit të vetingut në gjyqësor dhe prokurori, themelimin e Byrosë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar, miratimin dhe zbatimin e Strategjisë së Sundimit të Ligjit dhe reformimin e Këshillit Prokurorial dhe administratës së sistemit të drejtësisë.

Ministrja Haxhiu theksoi se mekanizmi antikorrupsion i ngritur nga Qeveria po fuqizohet dita-ditës, duke shënuar rezultate konkrete në identifikimin, dokumentimin dhe goditjen e akteve korruptive në të gjitha nivelet e administratës.

Përveç kësaj, ajo raportoi se përqindja e zbatimit të Strategjisë për Sundimin e Ligjit 2021-2026 ka arritur në 85 për qind të aktiviteteve të planifikuara, një shifër që reflekton përkushtimin e institucioneve kosovare në këtë drejtim.

Një fokus i veçantë u vendos mbi reformimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe plotësim-ndryshimin e tre ligjeve kryesore të sistemit prokurorial, të cilat kanë për qëllim zvogëlimin e mundësisë së “koorporatizimit” dhe rritjen e “pluralizmit” brenda Këshillit.

Në përfundim, Ministrja shprehu mirënjohjen e saj për Këshillin e Evropës dhe të gjithë përfaqësuesit institucional për përkushtimin dhe angazhimin e tyre në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit. Ministrja Haxhiu theksoi rëndësinë e këtij takimi për diskutimin dhe ndarjen e perspektivave dhe për të ndërtuar një sistem drejtësie më efektiv dhe më efikas për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit./Front Online/